Këshilltari për media i Presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina, ka sqaruar se ftesa drejtuar gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, Radomir Laban, për ceremoninë e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, është dërguar nga Protokolli i Presidencës dhe jo nga vetë presidentja.
Kupina tha për Express se Protokolli do të duhej të kishte marrë parasysh deklaratën publike të Osmanit të bërë në vitin 2024 për Labanin, gjatë hartimit të listës së të ftuarve.
“Presidentja as nuk përpilon dhe as nuk merret me listat protokollare. Është Protokolli që merret me to, duke përdorur listat zyrtare. Ne nuk dimë kush është në listë derisa ato hartohen nga Protokolli,” u shpreh Kupina.
Ai shtoi se Osmani ka siguruar që dosja e Labanit, përmes AKI-së, t’i përcillej Gjykatës Kushtetuese, Prokurorisë dhe Policisë, si pjesë e detyrave të saj, por nuk ka pasur rol në përgatitjen e ftesave.