Merkatoja e verës po shkon drejt fundit, dhe futbollistët e Kombëtares shqiptare janë në garë me kohën për të siguruar lëvizjet e duhura në këtë fazë të rëndësishme të karrierës së tyre. Një pjesë e madhe e kontigjentit kuqezi luan në Itali, ku konkurrenca dhe presioni janë të larta, ndaj vëmendja ndaj tyre është e shtuar.
Një nga emrat që ka rikthyer zërat e merkatos është ai i Marash Kumbullës, mbrojtësit që aktualisht është jashtë planeve të trajnerit Gian Piero Gasperini te Roma.
Në miqësoren e fundit ndaj Evertonit, trajneri italian nuk e aktivizoi aspak shqiptarin, duke dhënë sinjale të qarta se e ardhmja e tij nuk është më në “Olimpico”.
Në këtë situatë, destinacioni i ri për Kumbullën mund të jetë jashtë Italisë.
Sipas gazetës spanjolle “AS”, Espanjoli ka shfaqur interes të konkretizuar për mbrojtësin shqiptar dhe ka nisur kontaktet me Romën për transferimin e tij. Sidoqoftë, këtë herë Roma kërkon të arkëtojë nga shitja e plotë e lojtarit, ose të paktën të sigurojë një marrëveshje me detyrim blerjeje në fund të sezonit. Klubi italian synon të rikuperojë pjesërisht shifrën prej 26.5 milionë eurosh që shpenzoi për blerjen e Kumbullës.
Por pista spanjolle nuk është e vetmja në lojë. Cagliari, skuadra e rikthyer në Serie A, është gjithashtu e interesuar për shërbimet e 24-vjeçarit. Një lëvizje drejt Cagliarit do t’i garantonte Kumbullës qëndrimin në elitën e futbollit italian dhe një vend më të sigurt titullari, një faktor kyç për të qenë në formë dhe në fokusin e trajnerit Silvinho me Kombëtaren.
Tashmë, mbetet për t’u parë se cila ofertë do të jetë më bindëse – ajo e Spanjës me një ambient të ri, apo ajo e Serie A-së që i ofron vazhdimësi dhe stabilitet. Ajo që është e qartë, është se ditët e ardhshme do të jenë vendimtare për të ardhmen e Marash Kumbullës, i cili kërkon të rikthehet fuqishëm pas një periudhe të vështirë në karrierë.