Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, i cili garon për një mandat të ri në zgjedhjet lokale, ka zhvilluar një takim me banorët e Shalës, këtë herë në familjen Amerllahu.
Ahmeti njoftoi se kjo familje e madhe ka shprehur mbështetjen për kandidaten për Asamblenë Komunale, Arlinda Amerllahu.
“Po vazhdojmë të marrim përkrahje nga qytetarët që e vlerësojnë punën dhe vizionin tonë për Lipjanin. Shala na ka dhënë mbështetjen, dhe kur Shala e jep fjalën, e mban besën. Faleminderit Shala!”, tha Ahmeti.
Ai shtoi se përkrahja për Arlindën vjen edhe si vlerësim për angazhimin e saj personal dhe familjar. “Kërkuam mbështetjen për Arlindën si bijë e një ish-luftëtari të UÇK-së dhe një vajzë e shkolluar e e përgatitur për të marrë përgjegjësi në vendimmarrje”, u shpreh Ahmeti.
Takimi u vlerësua si një konfirmim i mbështetjes së fortë që kandidatura e Ahmetit dhe bashkëpunëtorëve të tij po gëzon në Shalë, zonë që tradicionalisht ka qenë një prej bazave më të rëndësishme të elektoratit të tij.

