Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar sot letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Sllovenisë, Borut Blaj, të cilin e përgëzoi për marrjen e detyrës së re diplomatike në Prishtinë.
Gjatë ceremonisë, Presidentja Osmani vlerësoi lart marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale mes Kosovës dhe Sllovenisë, duke theksuar se ato janë ndërtuar mbi vlera të përbashkëta, respekt të ndërsjellë dhe mbështetje reciproke.
“Presidentja Osmani vuri në pah marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale mes Kosovës dhe Sllovenisë, të ndërtuara mbi vlera të përbashkëta, respekt të ndërsjellë dhe mbështetje reciproke”, thuhet në njoftimin zyrtar të presidencës.
Ajo gjithashtu shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Sllovenisë, veçanërisht në rrugën euroatlantike të Kosovës dhe në përpjekjet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
Në takim u diskutua edhe për Procesin e Brdo-Brijunit, ku Presidentja Osmani theksoi rolin e rëndësishëm të Sllovenisë si një nga iniciatorët e këtij forumi rajonal.
“Presidentja Osmani përmendi rolin e Sllovenisë si një nga iniciatorët e Procesit Brdo-Brijuni dhe theksoi rëndësinë që Kosova i kushton këtij formati si platformë për dialog rajonal, stabilitet dhe perspektivë evropiane për Ballkanin Perëndimor”, thuhet në njoftim.
Ambasadori Blaj shprehu gatishmërinë e tij për të punuar në thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve dhe në përkrahje të prioriteteve strategjike të Kosovës.