Drejtoria për Shërbime Publike dhe Punë Komunale në Pejë ka njoftuar se ka përfunduar asfaltimi i rrugës tranzit Vitomericë – Treboviç, me gjatësi prej 2.8 kilometrash.
Projekti përfshin gjithashtu ndërtimin e trotuareve dhe vendosjen e ndriçimit publik përgjatë gjithë trasës.
Sipas drejtorit të drejtorisë, Agron Nikçi, kjo rrugë ka rëndësi të veçantë pasi lidh 15 fshatra, nga Podguri deri në Zahaq, duke krijuar një dalje të drejtpërdrejtë në rrugën magjistrale Pejë–Prishtinë.
Investimi kap vlerën prej 550 mijë eurosh dhe është financuar tërësisht nga buxheti i Komunës së Pejës.
Drejtori Nikçi ka bërë të ditur se, përveç këtij projekti, drejtoria është duke realizuar edhe shumë punime të tjera infrastrukturore në terren. Ai theksoi se objektivi kryesor është që të gjitha projektet të përfundojnë para se të fillojë sezoni i reshjeve vjeshtore, në mënyrë që të mos ketë vonesa në zbatimin e tyre.