Mbi 600 policë me sëmundje të rëndë e kronike detyrohen të paraqiten në punë

by engel

Mbi 600 zyrtarë të Policisë së Kosovës, të prekur nga sëmundje të rënda dhe kronike, vazhdojnë të paraqiten në vendin e punës, pavarësisht gjendjes së tyre shëndetësore. Sipas të dhënave të fundit, rreth 500 prej tyre vuajnë nga sëmundje kronike, ndërsa 130 janë të diagnostikuar me sëmundje të rënda.

Kjo situatë vjen si pasojë e mungesës së një sistemi funksional të sigurimit shëndetësor dhe invalidor, i cili do t’u mundësonte këtyre zyrtarëve lehtësim në detyrë ose trajtim të veçantë institucional. Pavarësisht kërkesave të vazhdueshme, projektligji për sigurimin shëndetësor për policinë mbetet pezull.

banner

Televizioni Tëvë1 ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe menaxhmenti i Policisë së Kosovës, por asnjë nga institucionet nuk ka kthyer përgjigje lidhur me ecurinë e projektligjit.

Nga Sindikata e Policisë së Kosovës theksohet se prezenca e zyrtarëve me probleme shëndetësore në detyrë jo vetëm që vështirëson funksionimin e institucionit, por edhe rrezikon sigurinë operacionale. “Këta zyrtarë figurojnë si numër, por nuk mund të angazhohen në kryerjen e detyrave për arsye shëndetësore”, thuhet në reagimin e Sindikatës, e cila ka kërkuar mbështetje financiare prej rreth 4.5 milionë eurosh në vit për sigurimin e të gjithë zyrtarëve policorë.

Nënkoloneli në pension, Refki Morina, e cilëson mungesën e sigurimit si faktor demotivues për pjesëtarët e policisë. “Mosrealizimi i kësaj marrëveshjeje ndikon shumë keq në moralin dhe përkushtimin e zyrtarëve, të cilët përballen me stres të vazhdueshëm dhe rrezikshmëri të lartë në punë”, deklaroi ai.

Kujtojmë se në nëntor të vitit 2023, menaxhmenti i Policisë së Kosovës dhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar kishin nënshkruar një marrëveshje për ofrimin me prioritet dhe pa pagesë të shërbimeve mjekësore, psikologjike dhe specialistike për personelin policor dhe rekrutët. Megjithatë, zbatimi i saj duket se ka mbetur në hije.

Ky realitet ngre shqetësime serioze për mirëqenien e zyrtarëve policorë dhe kërkon urgjentisht vëmendje institucionale.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy