Këngëtarja e njohur kosovare Shkurte Fejza ishte e pranishme në protestën e sotme në mbështetje të luftëtarëve të UÇK-së në sheshin “Skënderbej”, në Tiranë.
Ajo këndoi për të pranishmit këngën e saj të kthyer në hit, “Mora fjalë” dhe siç e shprehu vetë mes emocioneve për “Panorama”, e bëri për të mbështetur sadopak ata luftëtarë që po gjykohen padrejtësish në Hagë dhe për t’i mbrojtur ashtu siç ata mbrojtën shqiptarët.
“Është emocion. Janë të gjithë shqiptarë nga të gjitha trojet, shqiptarë nga të gjitha trevat gjenden këtu për të mbështetur luftëtarët e UÇK, heronjtë tanë, që po gjykohen padrejtësisht në Hagë. Për mua është një emocion i veçantë që gjendem këtu dhe të jap kontribut sadopak me këngën time “Mora fjalë”, për t’i kënduar, për t’i mbrojtur ata siç ata na mbrojtën neve.
Dhe faleminderit Shqipërisë për mbështetjen dhe organizimin, sepse shqiptarët kanë nevojë të jenë bashkë, një ditë, shumë ditë, gjithë vitin pse jo, se na mungon kjo, faleminderit”, tha këngëtarja mes të tjerash e emocionuar, teksa mbante kapelë dhe veshje me simbole kombëtare dhe të UÇK.
Më herët në podium, ajo falënderoi të gjithë të pranishmit dhe theksoi se një popull që nderon heronjtë, është i pavdekshëm.
“Faleminderit të gjithëve dhe atyre që na mbrojtën ne. Të këndojmë të gjithë së bashku “Mora fjalë”. Një popull që nderon heronjtë është i pavdekshëm”, u shpreh Fejza.