Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka reaguar me shqetësim të thellë pas aksidentit të ndodhur të premten në Ferizaj, ku pesë anëtarë të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve (KKZ) u përfshinë në një aksident trafiku gjatë kryerjes së detyrave zyrtare.
Sipas njoftimit zyrtar të KQZ-së, aksidenti ndodhi në orën 18:17, teksa zyrtarët ishin të angazhuar në përmbylljen e procesit zgjedhor të mbajtur më 12 tetor në komunën e Ferizajt.
Informacionet e para konfirmojnë se katër prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë dhe po marrin trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
“Pesë zyrtarët e përfshirë në këtë ngjarje ishin të angazhuar me përkushtim të lartë në përmbylljen e procesit zgjedhor. Në këto momente të vështira, KQZ shpreh shqetësimin e thellë dhe lutet për shërimin sa më të shpejtë të tyre,” thuhet në reagimin e publikuar në Facebook.
KQZ u bën thirrje mediave dhe qytetarëve që për detaje të mëtejshme mbi gjendjen shëndetësore të zyrtarëve të kontaktojnë institucionet përkatëse mjekësore.
Mendimet dhe përkrahja e institucionit janë me anëtarët e KKZ-së në Ferizaj dhe me familjet e tyre, në pritje të lajmeve më të mira për shëndetin e tyre.