Paraburgim për të miturin në Ferizaj, i dyshuar për kontrabandim të pesë shtetasve kinezë

by engel

Gjykata Themelore në Ferizaj, Departamenti për të Mitur, ka miratuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj një të mituri, i cili dyshohet për veprën penale të kontrabandimit me migrantë.

Sipas njoftimit të gjykatës, i mituri dyshohet se më 21 tetor 2025, rreth orës 20:20, në fshatin S. të Komunës së Hanit të Elezit, ka organizuar kalimin e jashtëligjshëm të pesë personave me shtetësi kineze përmes vijës kufitare Kosovë – Maqedoni e Veriut.

banner

Hetimet tregojnë se i mituri ishte takuar me personat në fjalë në territorin e Serbisë, ku kishte bërë marrëveshje që për secilin migrant të merrte 20 euro. Më pas, ai kishte siguruar një automjet të drejtuar nga një person ende i paidentifikuar, me të cilin kishte transportuar migrantët drejt kufirit me Maqedoninë e Veriut.

Në momentin e kalimit kufitar, grupi ishte vërejtur nga njësitë patrulluese kufitare, të cilat kishin arritur t’i ndalonin dhe t’i shoqëronin në Stacionin Policor Kufitar të Rajonit Lindje – Kaçanik, ku edhe i mituri ishte arrestuar.

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe shqyrtimit të provave, gjyqtari i procedurës paraprake, Shabi Idrizi, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar për përfshirjen e të miturit në veprimtarinë e kontrabandimit. Si rezultat, ndaj tij është caktuar masa e paraburgimit prej një (1) muaji.

Gjykata ka bërë të ditur se ankesa kundër këtij vendimi nuk e pezullon ekzekutimin e tij.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy