Kuvendi Komunal i Kaçanikut ka miratuar njëzëri vendimin për ofrimin e mbështetjes financiare për nënat lehona, duke konkretizuar një nga zotimet e para të kryetarit të komunës, Sabedin Vishi.
Sipas vendimit të aprovuar, çdo nënë që lind do të përfitojë një ndihmë financiare në vlerë prej 200 eurosh. Zbatimi i kësaj mase pritet të nisë nga janari i vitit 2026.
Kryetari i Komunës, Sabedin Vishi, e ka vlerësuar këtë vendim si një hap domethënës drejt fuqizimit të politikave sociale lokale, duke theksuar se mbështetja për nënat lehona ka qenë angazhimi i tij i parë publik pas marrjes së mandatit.
“Premtimi im i parë si kryetar i Komunës së Kaçanikut, për mbështetjen financiare të nënave lehona në vlerë prej 200 eurosh, sot u miratua unanimisht në Kuvend”, ka deklaruar Vishi.
Ai ka shtuar se institucionet komunale do të vazhdojnë të fokusohen në përmirësimin e mirëqenies së familjeve dhe fëmijëve në komunë.
“Zbatimi i këtij vendimi fillon nga janari 2026. Kujdesi për familjen, e në veçanti për fëmijët, mbetet prioritet i yni”, ka theksuar kryetari.
Nga Komuna e Kaçanikut kanë njoftuar se detajet lidhur me kriteret dhe procedurat e aplikimit për përfitimin e kësaj mbështetjeje financiare do të bëhen publike në një fazë të mëvonshme.

