Due me t’tregue ashtu si e don adeti. Jeta m’ka ba me kuptue se jo çdo gja asht ashtu si e due unë.
Me t’gjitha t’mirat e t’kqijat, kam mësue me qenë ma e fortë se guri e me i përballue n’heshtjen teme, n’atë heshtje që kurrë nuk foli.
Jeta m’ka dhanë shpresë e forcë që kurrë mos me u dorëzue, as n’momentet ma t’vështira. Edhe n’sahatin e fundit t’jetës teme, due me i kujtue veç çastet ma t’bukura që kam jetue.
Mrikë,
Krijesa ma e mirë e ma e dashtuna n’këtë rruzull tokësor.
Ti je ngushllimi jem. Edhe n’ditët ma t’vështira je shërim për mue e për shpirtin tem t’padjallzuem. Edhe n’stuhitë ma t’egra e n’dimnat ma t’ftohtë, ti je kanë ilaçi jem.
Edhe kur dhimbjet e mia filluen e nuk u ndalën kurrë, prania jote m’ka mbajtë gjallë.
Mrikë,
Buzëqeshja jeme e amshueme… Ujdhesë kënaqësie që jeton n’mue.
M’i fal syçkat tua, që me to ta shoh dritën e Diellit e bukurinë e kësaj bote.
M’i ngroh ndjenjat e mia e m’i qetëso plagët e shpirtit.
Sa herë t’shoh, zemra jem e gjen paqen që e ka kërkue gjithmonë.
Mrikë
Udhëtimi jonë, aq i ambël e aq i mirë, kallxon për dashninë tonë që kurrë s’u shue e kurrë s’mbaroi.
Edhe n’të sosun të dynjasë, kam me t’dashtë e kam me t’kujtue, derisa t’arrijmë n’Parajsën tonë të dashnisë…
Ti dhe unë …
Poemë nga poetja Argjira Ukimeri

