Ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë 71-vjeçari Preng Gjoka, i cili mbeti i plagosur rëndë pas një aksidenti rrugor të ndodhur mëngjesin e 4 korrikut në aksin Lezhë–Milot.
Ngjarja ndodhi pranë kryqëzimit të Rriles, ku i moshuari, teksa lëvizte me biçikletë, u përplas nga një automjet tip “Benz” me targa të Kosovës. Si pasojë e përplasjes, ai pësoi dëmtime të rënda dhe fillimisht u transportua në Spitalin Rajonal të Lezhës, ku mori ndihmën e parë mjekësore, ndërsa më pas u dërgua me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar.
Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, 71-vjeçari nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ndërroi jetë pas disa javësh në spital.
Pas aksidentit, drejtuesi i automjetit u shoqërua dhe u ndalua nga Policia, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përgjegjësive të ngjarjes vijojnë.

