Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, pas reagimit të Manastirit të Deçanit për disa punime në e rrugës në Zonën e Veçantë të Mbrojtur rreth këtij manastiri, ka dalë me një sqarim ku tregon se punimet që u bënë në këtë rrugë ishin për mirëmbajtje.
“Aktiviteti dyditor i mirëmbajtjes së rrugës në fjalë ka të bëjë vetëm me mbushjen e gropave, heqjen e vegjetacionit dhe të shkurreve, si dhe largimin e pluhurit të grumbulluar përgjatë rrugës, e assesi me ndonjë aktivitet tjetër, siç është supozuar”, tha Ramosaj.
Llogaria në X e Dioqezës së Rashkës dhe Prizrenit pretendoi se Komuna e Deçanit nuk i ka informuar për këto punime, duke thënë se me ligj dënohet ndërtimi i rrugëve transit në këtë zonë të mbrojtur.
“As Manastiri i Deçanit dhe as Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit nuk janë njoftuar paraprakisht për këto punime, nuk u është vënë në dispozicion dokumentacioni i projektit dhe as nuk u është dhënë ndonjë shpjegim për qëllimin, përmasat dhe bazën ligjore të tyre. Gjithashtu, nuk është kërkuar pëlqimi i Kishës Ortodokse Serbe, siç kërkohet nga Ligji për Zonat e Mbrojtura të Veçanta. Po ashtu, nuk kemi dijeni që të jetë nisur procedura e paraparë me ligj pranë Këshillit për Zbatim dhe Monitorim, ku, përveç dy ministrave të Kosovës dhe Mitropolitit Teodosije, marrin pjesë edhe shefat e Misionit të BE-së dhe të OSBE-së në Kosovë”, ka thënë dioqeza në këtë postim.
Por, ndryshe tha Ramosaj.
“Komuna e Deçanit ka ndërmarrë edhe më herët aktivitete të tilla mirëmbajtjeje, duke u bazuar edhe në dakordimin me personelin e manastirit, konkretisht me At Saven”.
Ramosaj tha se këtë sqarim e “duke parë se aktiviteti i zhvilluar në Komunën e Deçanit për mirëmbajtjen e rrugës në Zonën e Veçantë të Mbrojtur rreth Manastirit të Deçanit ka ngritur shqetësime, fillimisht te personeli i manastirit dhe më pas edhe te miqtë tanë ndërkombëtarë”.
“Më lejoni t’ju informoj se ne, si komunë, jemi plotësisht të përkushtuar në respektimin e ligjeve, veçanërisht të Ligjit për Zonat e Veçanta të Mbrojtura, si dhe të marrëveshjeve që rregullojnë ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës në këtë zonë. Këtë e kemi dëshmuar vazhdimisht ndër vite”.
Ai tha se po e bëjnë “maksimumin” bashkë me institucionet e tjera, që “Deçani të mbetet një qytet i qetë, ku të gjithë jetojmë në harmoni, respektojmë vlerat e njëri-tjetrit dhe krenohemi me trashëgiminë kulturore e historike të qytetit tonë, e në veçanti me Manastirin e Deçanit. Në këtë frymë do të vazhdojmë gjithmonë bashkëpunimin”.
Në fund, Ramosaj kërkoi mirëkuptimin e të gjithëve që ta vlerësojnë “drejt nevojën për mirëmbajtjen e këtij aksi rrugor, duke u përmbajtur nga vlerësimet dhe cilësimet që nuk pasqyrojnë gjendjen reale”.
“Megjithatë, mirëmbajtja ka përfunduar si aktivitet. Shpresoj që për një kohë të mos kemi nevojë të bëjmë mirëmbajtjen e rrugës”.
Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit në reagim më herët tha se pozicioni ligjor është i qartë, “pavarësisht mënyrës se si mund të përshkruhen formalisht këto punime”.
“Nëse qëllimi i tyre është vazhdimi i ndërtimit të rrugës transit Deçan–Plavë përmes Zonës së Mbrojtur të Veçantë, atëherë ato kanë të bëjnë me një aktivitet të ndaluar me ligj. Nëse punimet paraqiten si riparim ose përmirësim i rrugës ekzistuese lokale, ato gjithsesi mbeten subjekt i detyrimit për konsultim paraprak dhe marrjen e pëlqimit të Kishës, si dhe shqyrtimit nga mekanizmi i përbashkët kompetent në rast se nuk arrihet marrëveshje. Sipas fakteve që disponohen aktualisht, asnjëra nga këto procedura nuk është ndjekur, ndërsa përmasat e punimeve tejkalojnë riparimet e zakonshme sezonale”.

