Pep Guardiola shpërthen në lot pas debatit të ashpër me Kyle Walker, gjithçka u filmua nga dokumentari i Amazon Prime

by Nexhat

Një dokumentar i ri i Amazon Prime Video ka zbuluar prapaskena të tensionuara nga dy sezonet e fundit të Pep Guardiolës te Manchester City, përfshirë një përplasje të fortë me Kyle Walker që e la trajnerin spanjoll në lot.

Dokumentari me katër pjesë, i titulluar “A Beautiful Obsession”, sjell pamje nga dhomat e zhveshjes dhe momente të papublikuara nga periudha e fundit e Guardiolës në “Etihad”.

banner

Një nga skenat më të forta lidhet me konfliktin mes Guardiolës dhe Walker, pak para se mbrojtësi anglez të kërkonte largimin nga klubi.

Walker kërkoi largimin pas shtatë vitesh te City

Në janar të vitit 2025, Kyle Walker befasoi shumë njerëz kur kërkoi të largohej nga Manchester City, duke shprehur dëshirën për të provuar një eksperiencë jashtë Anglisë.

Pas shtatë vitesh të mbushura me trofe dhe 319 paraqitje me fanellën e Cityt, mbrojtësi iu bashkua Milanit në Serie A në formë huazimi.

Në vendimin për transferimin e tij te klubi italian kishte ndikuar edhe Zlatan Ibrahimovic, i cili në atë periudhë mbante rol këshillues pranë pronarëve amerikanë të Milanit.

Pas mbërritjes në “San Siro”, Walker pranoi se biseda me Guardiolën për largimin nuk kishte qenë aspak e lehtë.

“Kur fola me Pepin, nuk ishte një bisedë e rehatshme, për shkak të respektit që kemi për njëri-tjetrin dhe gjithçkaje që kemi arritur së bashku te Manchester City”, deklaroi ai gjatë prezantimit.

“Në çdo takim përmend emrin tim”

Dokumentari tani ka zbuluar se tensionet kishin nisur më herët.

Pas humbjes 2-0 të Manchester City ndaj Liverpoolit në dhjetor të vitit 2024, Walker u përplas ashpër me Guardiolën në dhomat e zhveshjes, duke e akuzuar trajnerin se e veçonte vazhdimisht për kritika.

“Gjithmonë e përmend emrin tim, në çdo takim. Në çdo dreq takimi është emri im”, bërtiti Walker.

Guardiola iu përgjigj duke i thënë se emri i tij përmendej edhe për shkak të rolit si kapiten.

Walker nuk e pranoi këtë shpjegim.

“Ti nuk doje që unë të isha kapiten. Kam reaguar ndaj gabimit të dikujt tjetër, kam humbur topin dhe ti prapë arrin ta sjellësh emrin tim në diskutim”, iu drejtua ai Guardiolës.

Guardiola në lot: “Nëse unë jam problemi, ma thoni”

Pas debatit, Guardiola iu drejtua gjithë skuadrës me një fjalim shumë emocional.

Me lot në sy, trajneri spanjoll u tha lojtarëve:

“Nëse unë jam problemi, duhet të ma thoni. Nuk do të qëndroj këtu për paratë apo vetëm për faktin që dua të qëndroj.”

Ai vazhdoi:

“E rinovova kontratën sepse dua të jem me ju. Dua të luftoj në këtë situatë. Nuk dua që ju të mendoni se po largohem apo po ju braktis.”

“Nuk dua ta ndiej se gjithçka po shembet dhe unë po iki. Përkundrazi, dua t’ju ndihmoj.”

Guardiola më pas iu drejtua veçanërisht kapitenëve.

“Nëse ju mendoni se ka një problem, fillimisht kapitenët dhe pastaj të tjerët, ma thoni. Kjo nuk do ta ndryshojë dashurinë që kam për ju, as për një sekondë. Por dua të luftoj. Kaq. Më falni.”

Guardiola foli edhe për divorcin për t’u shpjeguar lojtarëve rëndësinë e pasionit

Dokumentari sjell edhe një tjetër moment shumë personal nga dhjetori i vitit 2024.

Pas humbjes 2-0 ndaj Juventusit në Ligën e Kampionëve, Guardiola përdori martesën dhe divorcin e tij nga Cristina Serra, me të cilën kishte qenë për rreth 30 vjet, për t’u shpjeguar lojtarëve rëndësinë e pasionit.

“Djema, dua t’ju rrëfej diçka. Jam divorcuar nga gruaja më e bukur në planet”, u tha ai lojtarëve.

“Është gruaja ime, ish-gruaja ime. E dua jashtëzakonisht shumë, por e humbëm pasionin. Për shumë arsye, pasioni u zhduk.”

“Më do ajo mua? Po. E dua unë atë? Absolutisht. Por e humbëm pasionin.”

Më pas Guardiola e lidhi këtë me futbollin.

“Si luani futboll? Vetëm sepse duhet të luani apo sepse keni diçka brenda vetes? Çfarë është pasioni? Çfarëdo që bëni në jetë, bëjeni me pasion.”

“Nuk dua vetëm lojtarë të mirë. Dua lojtarë me pasion.

Dokumentari “A Beautiful Obsession” ofron kështu një pamje të rrallë nga brenda një skuadre që, përveç sukseseve të mëdha në fushë, ka kaluar edhe momente të forta tensioni, lodhjeje emocionale dhe përplasjesh mes figurave kryesore të saj.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy