Astronomja shqiptare Pranvera Hyseni ka përfaqësuar Kosovën në konferencën SEPA 2026, një ngjarje që mbledh profesionistë të planetariumeve nga Shtetet e Bashkuara.
Hyseni ishte e ftuar në Tellus Science Museum në Georgia, ku mbajti fjalimin qendror të mbrëmjes gala para një audience të përbërë nga profesionistë të fushës së planetariumeve, transmeton albinfo.ch.
Në fjalimin e saj, ajo prezantoi rrugëtimin e një ideje që dikur dukej e largët për Kosovën – krijimin e planetariumit dhe observatorit të parë në vend.
Projekti, i udhëhequr nga Hyseni përmes punës së saj në Astronomy Outreach of Kosovo, tashmë është bërë realitet në Shtime, duke krijuar një hapësirë të re për edukimin dhe promovimin e astronomisë në Kosovë.
“Me ju tregu qysh një ide që dikur dukej shumë larg për një vend si Kosova, përfundoi duke u bë planetariumi dhe observatori i parë në vend. Sinqerisht, nuk ka krenari më t’madhe!”, ka shkruar Hyseni pas pjesëmarrjes në konferencë.
Përmes punës së saj, Hyseni vazhdon ta prezantojë Kosovën në skenën ndërkombëtare të astronomisë, duke e kthyer pasionin për universin në projekte konkrete për brezat e rinj.

