Ish-sekretari i përgjithshëm dhe ish-avokati i Federatës së Futbollit të Kosovës, Taulant Hodaj, ka reaguar pas deklaratave të kapitenit të Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani, duke e cilësuar situatën si një alarm serioz për futbollin kosovar.
Përmes një reagimi publik, Hodaj ka thënë se deklarata e Rrahmanit, sipas së cilës ai nuk mund të luajë për Kosovën përderisa Federata e Futbollit të Kosovës udhëhiqet nga drejtuesit aktualë, duhet të merret me seriozitet nga institucionet dhe opinioni publik.
Sipas Hodajt, Rrahmani ka mundur të vazhdonte karrierën e tij pa u përfshirë publikisht në debatet rreth funksionimit të FFK-së, por ka zgjedhur të reagojë pasi, siç pretendon ai, përpjekjet për adresimin e problemeve brenda federatës nuk kanë dhënë rezultat.
“Amiri ka mundur të heshtë, të vazhdojë sukseset e tij kulmore në futbollin ndërkombëtar dhe të mbetet kapiten i Kosovës. Përkundër padrejtësive të vazhdueshme gjatë këtyre dy viteve, ai reagoi publikisht vetëm pasi u shterën përpjekjet për t’i adresuar problemet brenda shtëpisë së futbollit”, ka shkruar Hodaj.
Ai e ka vlerësuar qëndrimin e kapitenit si sakrificë personale në funksion të kërkesës për ndryshim dhe profesionalizëm.
Hodaj ngre akuza të rënda ndaj drejtuesve të FFK-së
Në reagimin e tij, Hodaj ka pretenduar se Rrahmani ka qenë i përmbajtur në deklaratat publike dhe se, sipas tij, nuk ka folur për të gjitha problemet me të cilat është përballur.
Hodaj ka përmendur pretendime për presione, kërcënime dhe veprime të tjera që, sipas tij, duhet të trajtohen nga organet kompetente.
Ai ka theksuar se këto janë çështje për të cilat, sipas tij, ekzistojnë dyshime serioze dhe që duhet të vlerësohen nga institucionet e drejtësisë.
Duke iu referuar edhe përvojës së tij të mëparshme brenda FFK-së, Hodaj tha se kërkesat për profesionalizëm, organizim dhe llogaridhënie nuk janë trajtuar siç duhet.
“Si ish-Sekretar i Përgjithshëm dhe ish-avokat i FFK-së, nga ajo që kam parë dhe përjetuar, kërkesave për profesionalizëm, organizim dhe llogaridhënie jo vetëm që nuk u është dhënë përgjigjja e duhur, por njerëzit që i kanë ngritur këto shqetësime janë penguar dhe kërcënuar”, ka pretenduar ai.
Këto janë akuza të bëra nga Hodaj në reagimin e tij publik dhe nuk paraqesin konstatime të organeve të drejtësisë.
“Po tentohet të zhvendoset vëmendja nga thelbi i deklaratës”
Hodaj ka pretenduar gjithashtu se pas reagimit të Rrahmanit kanë nisur sulme ndaj kapitenit në rrjetet sociale.
Sipas tij, debati publik nuk duhet të zhvendoset nga çështjet që Rrahmani ka ngritur.
Ai theksoi se kapiteni nuk ka deklaruar se po pensionohet nga Kombëtarja dhe as se po largohet për shkak të mungesës së dëshirës për ta përfaqësuar Kosovën.
“Amiri nuk tha se po pensionohet nga Kombëtarja dhe as se është lodhur nga Kosova. Përkundrazi, në kulmin e karrierës së tij, ai po sakrifikon pozitën e kapitenit për të kërkuar ndryshim, profesionalizëm dhe një Kombëtare të organizuar në nivelin që Kosova dhe futbollistët e saj meritojnë”, shkroi Hodaj.
Pret reagim nga organet kompetente
Në fund të reagimit, ish-zyrtari i FFK-së tha se pret që institucionet kompetente dhe organet e drejtësisë të trajtojnë çështjet e ngritura.
Ai u shpreh i gatshëm që, nëse kërkohet, të kontribuojë me informacionet që posedon si ish-pjesëtar i strukturave drejtuese të federatës.
“Futbolli, Kombëtarja dhe FFK-ja janë të Kosovës, jo të individëve”, përfundoi Hodaj.
Reagimi i tij vjen në një periudhë të ndjeshme për futbollin kosovar, pas deklaratave të kapitenit Amir Rrahmani dhe debatit që ato kanë nxitur rreth funksionimit dhe drejtimit të Federatës së Futbollit të Kosovës.

