Agon Maliqi ia kthen Golës së VV’së: Paska hyrë në terrenin e disciplinimit të mendimeve të analistëve

by Nexhat

Analisti Agon Maliqi dhe deputeti i Vetëvendosjes, Ardian Gola, kanë replikuar në distancë me njëri-tjetrin me anë të postimeve në Facebook.

Maliqi për Reuters ka deklaruar se nëse Thaçi shpallet i pafajshëm dhe lirohet, kjo mund ta zhvendosë balancën e pushtetit në politikën e Kosovës më shumë drejt partisë së tij opozitare pro-perëndimore dhe të rikthejë besimin te bashkëpunimi i mëtejshëm me Perëndimin për sigurinë rajonale.

banner

Pas tij, Agon Maliqi, thotë se Ardian Gola “paska kaluar pak në terrenin e policimit dhe disciplinimit patriotik të mendimeve të analistëve në mediat ndërkombëtare, pa e pasur guximin për të përmendur emra, por me shënjestër gjithsesi lehtësisht të kuptueshme”.

Reagimi i tij i plotë:

Deputeti Ardian Gola paska kaluar pak në terrenin e policimit dhe disciplinimit patriotik të mendimeve të analistëve në mediat ndërkombëtare, pa e pasur guximin për të përmendur emra, por me shënjestër gjithsesi lehtësisht të kuptueshme.

Në botëkputimin e mendësisë sunduese të Kinostudios Shqipëria e Re – ku realiteti është një fushë me lule e vizatuar nga Baba – të thuash se në Kosovë verdikti i Hagës mund të ngjallë emocione të forta dhe të ketë ndikim në marrëdhëniet tashmë të TENDOSURA ndëretnike (strained interethnic relations) – e jo të tensionuara, siç pretendon Gola – madje duke e vënë theksin te fakti se kjo MUND TË KEQPËRDORET NGA FUQI TË TRETA (lexo Rusia) për inskenime – kjo na qenka ujë në mulli të armikut. Prandaj, insiston deputeti, kritikët nuk duhet të habiten nëse dikush i quan tradhëtarë.

Në një postim të dytë, deputeti Gola, dukshëm i shqetësuar nga mungesa e përgjegjësisë së analistëve, del te dhimbja e vërtetë dhe ankohet se përse ata po flasin në media ndërkombëtare për implikimet e verdiktit në politikën e brendshme, e jo për pasojat e përgjithshme për Kosovën. Ndoshta, nëse deputetët e Kinostudios Shqipëria e Re ndonjëherë do të ftoheshin të komentonin diçka për mediat ndërkombëtare, do ta kuptonin se gazetarët një komentuesi ia bëjnë shumë pyetje, por i përzgjedhin vetëm ato citime që u duken të nevojshme.

Sikur deputeti Gola ta kishte të zhvilluar nuhatjen dhe vigjilencën patriotike për ata që i ka më afër vetes – do të zbulonte në mesin e kolegëve të tij deputetë, ministra e këshilltarë shumë autorë të shkrimeve, studimeve ndërkombëtare me përmbajtjen më raciste, kriminalizuese dhe baltosëse ndaj Kosovës, që e kanë bërë të mundur dhe të besueshëm deri edhe teorinë e trafikimit të organeve.

Ndoshta një ditë – nëse ulet dhe ua lexon kritikëve të shënjestruar punimet e shumta ndërkombëtare me sy të mirëfilltë prej akademiku, e jo me ato të një nënkryetari të një kuvendi të zgjedhur jashtë binarëve të kushtetutës – deputeti Gola mund ta kuptojë se nuk ka nevojë të dalë e të shkruajë qyfte.

Deri atëherë i dëshiroj deputetit Gola jetë të qetë në këtë situatë të harmonisë së plotë ndëretnike – ku serbët tejet të kënaqur organizojnë sulme ndaj policisë dhe vazhdojnë ta votojnë Listen Serbe, ndërkohë që Sveçla shkon çdo ditë në veri me buqeta lulesh – dhe i kërkoj falje në emër të armiqve të brendshëm për mungesë të vigjilencës dhe prishje të rehatisë.

“Kthimi i Thaçit e ndryshon balancën e forcave ne skenën politike”, Gola i VV i reagon Agon Maliqit për prononcimin në Reuters

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy