Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, është takuar me presidentin e Federatës Greke të Futbollit, Chrysostomos Gkagkatsis, në Selanik, ku është shënuar njëqindvjetori i themelimit të federatës greke.
Ademi ka bërë të ditur se gjatë takimit e ka uruar homologun e tij për jubileun e rëndësishëm dhe për kontributin e Federatës Greke të Futbollit ndër vite.
“E urova presidentin Gkagkatsis për këtë jubile të rëndësishëm dhe për kontributin e Federatës Greke ndër vite, duke i dëshiruar shumë suksese në drejtimin e saj dhe në zhvillimin e mëtejmë të futbollit grek”, ka shkruar Ademi.
Sipas tij, gjatë takimit është zhvilluar një bisedë e përzemërt, ku të dy palët kanë shprehur gatishmërinë për të forcuar bashkëpunimin mes dy federatave.
“Me presidentin Gkagkatsis patëm një bashkëbisedim të përzemërt, me dëshirën e përbashkët për të kultivuar marrëdhënie të mira dhe për të avancuar bashkëpunimin ndërmjet dy federatave tona në të ardhmen”, ka thënë ai

