Malisheva po vazhdon me paraqitje të mira edhe në sezonin e ri të Superligës së Kosovës, ndërsa një nga lojtarët që po bën diferencën është Laurent Xhylani.
Pas gjashtë xhirove, skuadra nga Malisheva renditet në pozitën e dytë me 13 pikë, duke konfirmuar ambiciet për të qenë mes ekipeve më konkurruese të kampionatit.
Në qendër të këtij fillimi pozitiv është 21-vjeçari Xhylani, i cili këtë sezon mban fanellën me numrin 10 dhe po shfaqet si një nga futbollistët më në formë në elitën e futbollit kosovar.
Pas gjashtë ndeshjeve, ai numëron dy gola dhe katër asistime, statistika që dëshmojnë ndikimin e tij të madh në lojën ofensive të skuadrës.
Xhylani iu bashkua Malishevës në vitin 2023 dhe që nga ajo kohë ka shënuar progres të vazhdueshëm, duke fituar gjithnjë e më shumë peshë në skuadër dhe duke u shndërruar në një nga lojtarët më të rëndësishëm të klubit.
Sipas platformës “Transfermarkt”, vlera e tij aktuale në treg është rreth 550 mijë euro.
Forma e mirë që tregoi edhe sezonin e kaluar bëri që emri i tij të lidhej me interesimin e disa klubeve nga Polonia, ndërsa paraqitjet e tij vazhdojnë të tërheqin vëmendje edhe jashtë kampionatit vendor.
Xhylani është gjithashtu pjesë e rregullt e Kombëtares U21 të Kosovës, ku vazhdon të fitojë përvojë ndërkombëtare dhe të konfirmojë potencialin e tij.
Me ritmin aktual, 21-vjeçari po profilizohet si një nga emrat që mund të ketë një rol të rëndësishëm jo vetëm në sezonin e Malishevës, por edhe në të ardhmen e futbollit kosovar.

