Fillimi i sezonit nuk ka qenë aspak ideal për Paris Saint-Germainin, ndërsa rotacioni i vazhdueshëm i trajnerit Luis Enrique nuk e ka prekur statusin e Vitinhas në formacionin e skuadrës franceze.
Sipas prestigjiozes franceze L’Équipe, mesfushori portugez nuk e ka shfaqur ende potencialin e tij maksimal në këtë fazë të sezonit, por vazhdon të jetë një nga shtyllat kryesore të projektit taktik të trajnerit spanjoll, përcjell “Gazeta Express”.
Në fakt, Vitinha është deri tani lojtari më i aktivizuar i PSG-së.
Ai i ka grumbulluar 609 minuta nga 630 të mundshme në të gjitha kompeticionet, duke qenë një nga të paktët futbollistë që Luis Enrique nuk i ka kursyer nga rotacioni.
Arsyeja kryesore është profili i tij unik. Portugezi kombinon organizimin e lojës, kontrollin e ritmit dhe kreativitetin, elemente që e bëjnë një pjesë qendrore të mënyrës së lojës së Luis Enrique.
Edhe statistikat e tij këtë sezon janë pozitive, me një gol dhe një asistim, krahas kontributit në krijimin dhe përparimin e aksioneve të PSG-së.
Pikërisht për shkak të rëndësisë së tij në skemën e trajnerit spanjoll, Vitinha pritet të jetë sërish titullar nga minuta e parë në mesfushën e PSG-së në sfidën e radhës ndaj Olympique Marseille, në derbin e madh francez, “Le Classique”.

