Thibaut Courtois nuk u përmbajt pas humbjes 2-1 të Real Madridit ndaj Atletico Madridit në derbin e kryeqytetit.
Portieri iu referua vendimeve të arbitrimit që shkaktuan polemika të mëdha.
Megjithatë, ai refuzoi ta linte skuadrën e tij të zhytej në një cikël ankesash apo të përqafonte atë që e quajti “mentalitet viktimizimi”.
Uebfaqja “Tribuna” publikoi komentet, në të cilat Courtois shprehu pakënaqësinë e tij për disa prej vendimeve në derbi.
Duke folur për gabimet e arbitrimit, ai theksoi se kjo nuk do të thotë që klubi dëshiron t’ia faturojë humbjen gjyqtarit apo të kërkojë justifikime.
“Jam tashmë i lodhur nga i gjithë ky mentalitet viktimizimi”, tha Courtois.
“Gjyqtarët nuk duan të favorizojnë asnjërën skuadër, qoftë në Spanjë apo në Evropë”, shtoi ai.
I pyetur drejtpërdrejt për të vlerësuar paraqitjen e gjyqtarit ndaj Atletico Madridit, belgu u tregua edhe më i drejtpërdrejtë. Ai bëri të qartë se disa prej vendimeve thjesht e kishin lënë të habitur.
“Definitivisht, nuk e kuptoj fare, ne duhej të kishim fituar”, tha Courtois.
Fjalët e tij erdhën pas një ndeshjeje të mbushur me incidente të diskutueshme të arbitrimit, me lojtarët e Real Madridit që kritikuan disa vendime të gjyqtarit Miguel Angel Ortiz Arias.
Humbja dhembi, por Courtois donte që tifozët e Real Madridit të dëgjonin një mesazh ndryshe në fund të ndeshjes.
Ai puthi stemën e klubit përpara tifozëve të Atletico Madridit, një sinjal i qartë i lidhjes së tij me skuadrën dhe përkushtimit ndaj fanellës edhe në momentet më të vështira.
“Gjesti im në fund?”, tha belgu.
“Unë e dua Real Madridin. Jam aty ku duhet të jem. I dua këto ngjyra edhe në humbje”, shtoi ai tutje.
Komentet lënë shumë pikëpyetje mbi kampin e Real Madridit pas humbjes ndaj Atletico Madridit, qoftë për vetë rezultatin, qoftë për vendimet e arbitrimit që ndikuan në zhvillimin e ndeshjes.

