Manchester Unitedi po synon sulmuesin e Borussia Dortmundit, Serhou Guirassy, për një transferim të mundshëm në janar, me dëmtimi i fundit i Benjamin Sesko që ka shkaktuar shqetësim.
Guirassy ka qenë në radarët e “Djajve të Kuq” që nga viti 2023, kur ai zgjodhi t’i bashkohej përfundimisht Dortmundit dhe i hodhi poshtë ofertat e Manchester Unitedit.
Sesko mungoi në skuadrën e Michael Carrickut për ndeshjen ndaj Fulhamit, e cila përfundoi në barazim 1-1 në “Craven Cottage”, për shkak të një dëmtimi. Koha e rikthimit të tij mbetet e paqartë.
“Nuk jemi ende të sigurt për Benin”, tha Carricku pas barazimit 1-1 të skuadrës së tij ndaj Fulhamit.
“Ai ndjeu pak dhimbje pas ndeshjes [kundër Brightonit], kështu që po e vlerësojmë situatën. Për momentin, ai definitivisht nuk ishte gati për [Fulhamin], kështu që në këtë pikë nuk kam vërtet ndonjë lajm tjetër për t’ju dhënë. Do të duhet të shohim se çfarë do të sjellë kjo”, përfundoi trajneri i “Djajve të Kuq”, i cili barazoi një rekord të padëshiruar të Premierligëd me barazimin e skuadrës së tij.
Sipas një raportimi nga “TEAMtalk”, Manchester Unitedi po shqyrton mundësinë për ta sjellë Guirassyn, i cili shënoi 22 gola për Borussia Dortmundin në sezonin 2025-26, në “Old Trafford” në janar.

Sulmuesi nga Guinea ka shënuar katër gola dhe ka dhënë dy asistime në katër ndeshje të Bundesligës këtë sezon dhe tani po monitorohet nga afër nga “Djajtë e Kuq”.
Tre vjet më parë, klubi nga Manchesteri u detyrua të kënaqej me Rasmus Hojlundin pasi mori refuzim nga Guirassy.
Sulmuesi danez që atëherë është transferuar te Napoli pas një periudhe fillestare huazimi dhe pas një aventure zhgënjyese te “Djajtë e Kuq”.
Statistikat e Guirassyt me Borussia Dortmundin e vendosin atë në elitën e sulmuesve të nivelit të lartë të futbollit gjerman, pasi ka shënuar 64 gola në 102 paraqitje për klubin e Bundesligës.
Sipas të njëjtit raportim, sulmuesi nga Guinea pati gjithashtu interesim nga Chelsea, Tottenham Hotspuri dhe kampioni në fuqi i Premierligës, Arsenali, gjatë kësaj vere.
Për momentin, nuk ka ndonjë tregues të qartë se Manchester Unitedi ka vendosur të bëjë një ofertë për Guirassyn. Megjithatë, monitorimi i afërt i situatës së tij nga “Djajtë e Kuq” tregon se ekziston interesimi.
Ekipi i Michael Carrickut mbetet i vendosur për ta mbajtur Seskon, por po shqyrton alternativa më të përvojshme për t’i integruar në repartin ofensiv, në rast se Joshua Zirkzee largohet.
Situata komplikohet më tej nga hezitimi i Borussia Dortmundit për ta shitur; në sezonin 2025-26, klubi e përfundoi sezonin si nënkampion pas Bayern Munichut, por beson se mund të luftojë për titullin e Bundesligës këtë sezon.
Aktualisht, ata kryesojnë tabelën e elitës gjermane për sezonin 2026-27 me 12 pikë.
Guirassy ka dhënë kontribut të rëndësishëm në tri nga katër fitoret e tyre në Bundesligë.
Sulmuesi nga Guinea e hapi rezultatin në fitoren 2-0 ndaj HSV-së, regjistroi dy kontribute në gola në fitoren 3-2 ndaj Hoffenheimit dhe asistoi në golin që zhbllokoi ndeshjen në fitoren e Dortmundit 3-0 ndaj Paderbornit.
30-vjeçari ka edhe vetëm dy vite të mbetura në kontratën e tij.
Edhe pse një transferim në janar mund të jetë i vështirë për Manchester Unitedin, klubi i Bundesligës së shpejti do të duhet të marrë një vendim për të ardhmen e Guirassyt.

