Pas vitesh negociatash, marrëveshjesh të dështuara dhe pritjeje të gjatë, Anthony Joshua dhe Tyson Fury janë pranë momentit që tifozët e boksit e kanë pritur prej vitesh.
Dy emrat më të mëdhenj britanikë të peshave të rënda pritet të përballen më 11 dhjetor në Cardiff, në një duel që synon t’i japë fund një prej historive më të gjata të boksit modern.
Përballja mes dy ish-kampionëve ka qenë në horizont prej më shumë se një dekade, por për arsye të ndryshme ajo nuk u realizua kurrë. Tashmë, pas nënshkrimit të marrëveshjes dhe konfirmimit të duelit, Joshua dhe Fury janë në rrugën drejt takimit të tyre të parë në ring.
Fillimisht, përballja ishte planifikuar të zhvillohej në Britani, me Wembley-n si një nga alternativat kryesore. Në negociata u përfshi edhe transmetuesi Netflix, i cili kërkoi një orar më të përshtatshëm për audiencën amerikane. Për këtë arsye, u shqyrtuan edhe disa arena në SHBA, përfshirë Las Vegasin, Los Angelesin dhe Madison Square Garden në Nju Jork.
Të dy boksierët hynë në fazën e fundit të përgatitjeve pas fitoreve të regjistruara në korrik. Fury mposhti Mariusz Wachun në raundin e shtatë në Tajlandë, ndërsa Joshua siguroi një tjetër fitore ndaj Kristian Prengës, të cilin e nokautoi në raundin e dytë pasi shqiptari e kishte rrëzuar dy herë gjatë përballjes.
Pavarësisht se pas këtyre dueleve pritej një njoftim i shpejtë, finalizimi i marrëveshjes u shty. Konfirmimi erdhi rreth dy muaj më vonë, kur Turki Al-Sheikh bëri të ditur përballjen përmes rrjeteve sociale.
Joshua dhe Fury pritet të shfaqen së bashku për herë të parë në një konferencë për media në Londër javën e ardhshme, duke nisur zyrtarisht promovimin e duelit.
Historia mes tyre daton shumë më herët. Në vitin 2021, të dy zotëronin së bashku katër versionet kryesore të titujve botërorë në peshat e rënda dhe kishin arritur marrëveshje për dy përballje. Megjithatë, plani u prish pasi Fury u urdhërua të zhvillonte një duel të tretë me Deontay Wilder.
Tani, pesë vjet më vonë nga periudha kur të dy konsideroheshin në kulmin e karrierës së tyre, Joshua dhe Fury kanë mundësinë të zgjidhin më në fund pyetjen që ka mbetur pezull për vite: kush do të triumfojë kur dy ish-kampionët britanikë të jenë përballë njëri-tjetrit në ring?
Sipas raportimeve, të dy pritet të përfitojnë rreth 87 milionë euro nga përballja.

