Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka ngritur alarmin për vonesat në përgatitjet për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, duke thënë se garancia bankare e kërkuar që nga janari nuk është paguar dhe se afatet e përcaktuara për përmbushjen e detyrimeve janë shkelur vazhdimisht.
Në një konferencë për media, Rama ka kritikuar mënyrën se si janë menaxhuar proceset organizative dhe ka kërkuar përgjegjësi institucionale për vonesat që, sipas tij, po e vënë në rrezik këtë ngjarje të rëndësishme sportive.
Ai ka thënë se nuk janë përmbushur me kohë detyrimet për funksionalizimin e strukturave organizative, përgatitjen e masterplanit dhe buxhetit, si dhe proceset e tjera të nevojshme për organizimin e Lojërave Mesdhetare.
Sipas Ramës, Grupi Ndërkombëtar për Monitorimin e Lojërave Mesdhetare (ICMG) kishte kërkuar që mbledhja inauguruese e Komitetit Organizativ të mbahej deri më 15 korrik, por ajo ishte mbajtur vetëm më 4 gusht. Ai ka theksuar se as afatet e përcaktuara më 27 qershor, 15 korrik dhe 12 gusht nuk janë respektuar.
“Garancia bankare e kërkua që nga janari nuk është paguar. Për me tepër afatet për funksionalizimin e strukturave organizative, përgatitjet e masterplanit, buxhetit dhe proceseve tjera janë shkelur vazhdimisht. ICMG kishte kërkuar që mbledhja inaugurese i Komitetit Organizativ të mbahej deri më 15 korrik. Ajo u mbajt vetëm me 4 gusht. Afatet e përcaktuara me 27 qershor, 15 korrik dhe 12 gusht nuk u respektuan. Ne si kryeqytet nuk kemi qëndruar në heshtje. Kemi kërkuar takime dhe mbledhje urgjente të bordit drejtues për t’i trajtuar kërkesat e ICM dhe për të marrë vendimet e nevojshme. Kryeministri Albin Kurti në cilësinë e kryesuesit të bordit drejtues ka përgjegjësinë për thirrjen e mbledhjeve dhe koordinimin e vendimmarrjes. Pas 4 gushtit, mbledhja e radhës nuk është thirrur. Më 30 shtator duke e parë seriozitetin e situatës, kryeqyteti mori iniciativën për thirrjen e një mbledhje të jashtëzakonshme me 8 tetor. Sipas statusit, nga 13 anëtarët e bordit, kërkoheshin të paktën 5 nënshkrime. 3 përfaqësuesit e kryeqytetit e nënshkruan kërkesën. Përfaqësuesit e qeverise dhe Komitetit Olimpik të Kosovës nuk iu përgjigjën ftesës për nënshkrim. Si rezultat mbledhja nuk u mbajt. ICMG ka përcaktuar afate të reja për përmbushjen e detyrimeve duke filluar nga 30 tetori, për të vazhduar me 1 dhe 15 dhjetor 2026 dhe më 1 mars 2027. Më 19 dhjetor 2026 do të shqyrtohet e ardhmja e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”. Nuk kemi kohë për heshtje institucionale. Sot kërkojmë përgjigje të qarta. Pse nuk janë përmbushur detyrimet financiare? Pse nuk është dërguar garancia e kërkuar? Pse nuk janë thirrë mbledhjet e bordit drejtues? Kush do ta marrë përgjegjësinë nëse Kosova u humb këtë mundësi historike?”, tha Rama në konferencën për media,
Lojërat Mesdhetare të vitit 2030 përbëjnë një nga ngjarjet më të rëndësishme sportive që Kosova synon t’i organizojë.

