Kuvendi i Kosovës ka njoftuar zyrtarisht se sot do të mbajë një seancë të jashtëzakonshme plenare, ku do të diskutohet për vrasjen e fundit në Vitomiricë të Pejës dhe rastet e tjera të vrasjes së grave.
Sipas njoftimit të Drejtorisë për Media dhe Marrëdhënie me Publikun, seanca do të nisë në orën 16:00, në sallën e Kuvendit.
Në rend dite është trajtimi i rasteve të vrasjes së grave, dhunës në familje ndaj grave dhe fëmijëve, përgjegjësisë institucionale, parandalimit të dhunës në baza gjinore dhe mbrojtjes së jetës së grave.
Seanca vjen pas rastit të fundit të vrasjes së një gruaje në Vitomiricë të Pejës, që ka rikthyer në vëmendje çështjen e dhunës ndaj grave dhe përgjegjësinë e institucioneve për parandalimin e rasteve të tilla.

