Kryetari i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, ka folur për raportet sportive mes Shqipërisë dhe Kosovës, veçanërisht për konkurrencën mes dy federatave në rekrutimin e futbollistëve shqiptarë që luajnë në vende të ndryshme të botës.
I ftuar në televizionin “Klan”, Duka ka rikujtuar edhe angazhimin e FSHF-së për anëtarësimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA, duke theksuar se do ta mbështeste sërish këtë proces, pavarësisht se në atë kohë kishte pasur paralajmërime se një gjë e tillë mund të ndikonte në konkurrencën sportive mes dy përfaqësueseve.
Ai ka theksuar se Shqipëria dikur kishte në dispozicion futbollistët shqiptarë nga të gjitha trevat, përfshirë Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, por se e drejta e Kosovës për të pasur “përfaqësuesen” e saj ishte më e rëndësishme sesa konkurrenca sportive.
“Ne kemi pasur luksin të kishim në dispozicion të gjithë shqiptarët e kudondodhur që luanin futboll. Kosovë, Maqedoni apo rajone të tjera jashtë vendit. Në vitin 2015 lobuam për anëtarësimin e Kosovës edhe pse dikush na tha se do të rrezikohej konkurrenca sportive por do ta ribëja sërish, sepse edhe fëmijët e Kosovës kanë të drejtën të luajnë e të kenë përfaqësuesen e tyre. Jam i lumtur që i kam mbështetur. Nuk ka asnjë problem nëse zgjedhin të luajnë për Kosovën, edhe pse do të isha i lumtur nëse do të zgjidhnin Shqipërinë”, deklaroi Duka.
Kësisoj, kreu i FSHF-së ka ritheksuar se zgjedhja e një futbollisti për të përfaqësuar Kosovën nuk duhet të shihet si problem, duke respektuar të drejtën e secilit për të vendosur se cilën kombëtare dëshiron ta përfaqësojë.
Së fundmi, kalimin mes kombëtareve e bëri Enis Rexhepi i Stuttgartit 2, i cili e la kombëtaren U19 të Shqipërisë për t’u ftuar te kombëtarja A e Kosovës, për ndeshjet e nëntorit ndaj Izraelit e Irlandës.

