Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) është pranuar zyrtarisht si anëtare me të drejta të plota në Regjistrin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR), pas një vlerësimi pozitiv nga ekspertët e Asociacionit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA).
Vendimi u bë i ditur të hënën në një letër zyrtare nga presidenti i EQAR-it, Stéphane Lauwick, drejtuar drejtorit të Përgjithshëm të AKA-së, z. Naim Gashi, ku thuhet se aplikimi i Kosovës është miratuar dhe anëtarësimi është i vlefshëm deri më 31 dhjetor 2029. “Ju lutem pranoni urimet e mia për aplikimin tuaj të suksesshëm dhe përgëzimet e mia të përzemërta për punën tuaj,” shkruan Lauwick.
EQAR është institucioni më i lartë evropian që regjistron agjencitë që operojnë në përputhje me standardet evropiane për sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë (ESG). Ky anëtarësim e pozicionon AKA-n në nivel të barabartë me agjenci të njohura ndërkombëtare dhe e kthen Kosovën në një aktor të rëndësishëm në hartën e arsimit të lartë evropian.
Sipas njoftimit të AKA-së, kjo arritje rrit ndjeshëm besueshmërinë e sistemit të arsimit të lartë në Kosovë dhe siguron që diplomat e studentëve kosovarë të kenë vlefshmëri dhe njohje ndërkombëtare, si në aspektin akademik ashtu edhe profesional. Regjistrimi në EQAR garanton se këto diploma vijnë nga institucione që përmbushin standardet më të larta të cilësisë.
Anëtarësimi gjithashtu u hap rrugë institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë për pjesëmarrje të plotë në programet e Bashkimit Evropian, si dhe për partneritete ndërkombëtare, financim të projekteve akademike dhe tërheqje studentësh nga jashtë.
Prof. Hasnije Ilazi, kryetare e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, e cilësoi këtë si një sukses kombëtar: “Kosova është vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që arrin anëtarësimin në këtë institucion ndërkombëtar. Diploma e studentëve tanë tashmë bart vulën e cilësisë evropiane.”
Drejtori Gashi theksoi se kjo është një arritje që vjen pas një procesi të gjatë dhe të përkushtuar. “Që nga viti 2020 kemi punuar për përmbushjen e 14 standardeve. Pas anëtarësimit në ENQA në vitin 2022 dhe aplikimit në EQAR në fund të vitit 2023, më 1 korrik 2024 ekipi i vlerësimit ndërkombëtar dha një raport pozitiv për AKA-n.”
Falënderime të veçanta u drejtuan për Bordin e AKA-së, stafin profesional, Ministren e Arsimit znj. Arbërie Nagavci, si dhe institucionet vendore e ndërkombëtare që e mbështetën këtë proces, përfshirë agjencitë homologe nga Kroacia, Austria dhe Gjermania.
Ky zhvillim përfaqëson një kthesë pozitive për arsimin e lartë në Kosovë, duke forcuar pozicionin ndërkombëtar të vendit dhe duke hapur horizonte të reja për studentët dhe institucionet akademike.

