Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër pas atentatit të ndodhur mëngjesin e sotëm në Shkodër, ku dy persona humbën jetën dhe dy të tjerë mbetën të plagosur, një prej të cilëve një kamariere shërbimi.
Në një deklaratë për mediat, Berisha e cilësoi ngjarjen si “masakra e rradhës”, duke vënë në dukje se breshëritë e armëve u qëlluan në mes të qytetit, brenda një kafeneje, duke marrë jetën e dy personave dhe plagosur rëndë të tjerë
Ai theksoi se autori i dyshuar është një person i arrestuar dy vite më parë për bashkëpunim në krim, por që u lirua nga drejtësia, për të vijuar aktivitetin e tij kriminal.
Berisha akuzoi atë që e quajti “narkoqeveri” për mbështetjen që, sipas tij, i jep krimit dhe bandave në Shkodër, duke përmendur se qytetin e sundojnë vetgjyqësia, hakmarrja dhe krimi i organizuar. Ai shprehu dënimin e tij të fortë për “qëndrimin hakmarrës të Ramaduros ndaj Shkodrës dhe qytetarëve të saj”

