Trajneri i Kombëtares së Brazilit, Carlo Ancelotti, në një intervistë për “ESPN Brasil” ka bërë një bilanc të punës së tij me “Seleçaon”, duke komentuar edhe mbi mungesën e Neymar Jr. në grumbullimet e fundit për Eliminatoret e Botërorit 2026.
“E dimë të gjithë se Neymar është një talent i madh. Por, që të shfrytëzojmë potencialin e tij, ai duhet të jetë në formë të mirë fizike. Nëse është mirë fizikisht, nuk do të ketë asnjë problem të grumbullohet”, u shpreh Ancelotti.
Trajneri italian foli edhe për pritshmëritë e tij lidhur me Botërorin e vitit 2026.
Ai përmendi Argjentinën si favorit kryesor, ndërsa veçoi Spanjën, Francën dhe Anglinë si pretendentë të fortë nga Evropa. Ancelotti theksoi gjithashtu se Brazili mbetet gjithmonë favorit, ndërkohë që edhe Italia mund të surprizojë, pavarësisht vështirësive në fazën kualifikuese.
“Jam kurioz të shoh gjithashtu se çfarë do të bëjë Gjermania”, tha në fund trajneri i Brazilit

