Lufta e plotë e Rusisë në Ukrainë shpejt do të hyjë në vitin e pestë. Incidente misterioze të ashtuquajturës “luftë hibride” po shpeshtohen në Evropë, duke ngritur tensionet. Në Britani të Madhe, komandantët ushtarakë kanë përhapur fjalët se duhet bërë gati për luftë nëse duhet shmangur atë. Ama, në rast se ndodh e pamenduara, dhe shpërthen lufta me Rusinë, a mund të luftojë më gjatë ushtria britanike sesa disa javë?
“Nuk planifikojmë të nisim luftën me Evropën, por nëse ajo dëshiron dhe e fillon, ne jemi gati që tani”. Kështu tha presidenti rus Vladimir Putin më 2 dhjetor, duke akuzuar shtetet evropiane për prishjen e përpjekjeve amerikane që të sjellë paqen në Ukrainë.
Për qartësi, është e pamundur që Britania ta gjej veten në një luftë me Rusinë, e papërkrahur nga aleatët e NATO-s.
Mirëpo fjalët e Putinit qenë përkujtues të parehatshëm se lufta mes Rusisë dhe shteteve të NATO-s, përfshirë Britaninë, nuk është aq larg sa shpresojnë njerëzit.
Luftë në kohëra të teknologjisë
“Kjo është e pazakontë. Nuk kam valë në telefonin tim”. “As unë. Jam në terr. Çfarë po ndodhë?” Ky është skenari që hipotetikisht do ta merrnim vesh se lufta me Rusinë ka nisur, ose është duke nisur.
Prishja e sinjaleve do të pasonte me bllokimin e pagesave në banka për gjëra të nevojshme si ushqimi apo karburantet.
Shpërndarja e ushqimit do të pengohej, furnizimi me energji elektrike do të komprometohej.
Ka shumë mënyra të të luftuarit, dhe nuk janë vetëm seria me dronë, bomba dhe raketa që për të keq e dinë vetëm shtetasit e Ukrainës.
“Shoqëria jonë moderne dhe teknologjike është fort e varur nga rrjeti i kabllove nënujore dhe tubat e gazit që e lidhin Britaninë me pjesën tjetër të botës, bartin të dhëna, transaksione financiare dhe energji”, shkruan gazetari i BBC-së, Frank Gardner.
Aktivitetet e fshehta nga anijet spiune ruse, siç është Yantari, besohet se kanë hulumtuar për kabllot me qëllim të sabotazhit në kohë lufte. Për këtë arsye, marina mbretërore së fundmi ka investuar në flotë me dronët nën ujorë të pajisur edhe me sensorë.
Në luftë, këto veprime sekrete dhe që nuk shihen, të kombinuara edhe me përpjekjen për ta verbuar Perëndimin me satelitët në hapësirë, do të bllokonin përpjekjet e Britanisë në luftë, por edhe do të dobësonin shoqëritë tona civile.

