Protesta të mëdha antiqeveritare kanë shpërthyer në Teheran dhe dhjetëra qytete të tjera të Iranit, duke shënuar një nga valët më të fuqishme të kundërshtimit ndaj establishmentit fetar në vitet e fundit. Pamje të verifikuara nga BBC Persian tregojnë turma të mëdha protestuesish që marshojnë paqësisht në kryeqytet dhe në qytetin e dytë më të madh, Mashhad, pa u shpërndarë nga forcat e sigurisë.
Sipas grupeve të të drejtave të njeriut, protestat kanë hyrë në ditën e 12-të radhazi dhe janë shtrirë në mbi 100 qytete e qyteza në të 31 provincat e vendit. Shkaku kryesor i zemërimit popullor është kolapsi i monedhës iraniane, rialit, dhe rritja e ndjeshme e inflacionit, që ka arritur rreth 40%.
Në pamjet e shpërndara në rrjetet sociale dëgjohen thirrje si “Vdekje diktatorit”, në referencë ndaj Udhëheqësit Suprem Ajatollah Ali Khamenei, si dhe slogane në mbështetje të Reza Pahlavit, djalit të ish-shahut të rrëzuar nga revolucioni islamik i vitit 1979. Në disa raste, protestuesit shihen duke hequr kamera mbikëqyrjeje dhe duke u përballur me forcat e sigurisë.

Agjencia amerikane Human Rights Activist News Agency (HRANA) raporton se të paktën 34 protestues, përfshirë pesë fëmijë, dhe tetë anëtarë të forcave të sigurisë kanë humbur jetën, ndërsa mbi 2.200 persona janë arrestuar. Ndërkohë, organizata Iran Human Rights me seli në Norvegji flet për të paktën 45 të vrarë, mes tyre tetë fëmijë. BBC Persian ka konfirmuar identitetin e 22 viktimave, ndërsa autoritetet iraniane pranojnë vdekjen e gjashtë efektivëve të sigurisë.
Situata është përkeqësuar edhe nga ndërprerja pothuajse totale e internetit në mbarë vendin. Sipas organizatës NetBlocks, Irani po përjeton një “blackout” kombëtar të internetit, që kufizon komunikimin dhe raportimin në një moment kritik.
Reza Pahlavi, i cili jeton në mërgim në SHBA, u ka bërë thirrje iranianëve të vazhdojnë protestat dhe i ka falënderuar ata për “guximin” e treguar. Ai ka kërkuar gjithashtu që Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane të rrisin presionin ndaj regjimit iranian.
Autoritetet iraniane, nga ana tjetër, kanë minimizuar përmasat e protestave, madje në disa raste kanë mohuar se ato po ndodhin, duke transmetuar pamje të rrugëve bosh. Presidenti Masoud Pezeshkian ka bërë thirrje për “përmbajtje maksimale” nga forcat e sigurisë, ndërsa Khamenei ka deklaruar se protestuesit duhet të dëgjohen, por “trazirat” nuk do të tolerohen.
Kjo valë protestash konsiderohet më e madhja që nga viti 2022, kur vdekja e Mahsa Aminit në paraburgim shkaktoi demonstrata masive në mbarë vendin. Analistët paralajmërojnë se kriza ekonomike, sanksionet ndërkombëtare dhe pakënaqësia e thellë sociale po e shtyjnë Iranin drejt një përplasjeje gjithnjë e më të ashpër mes qytetarëve dhe pushtetit./BBC

