Mesazhi i Danimarkës për SHBA-në: “Po” dialogut, “Jo” koncesionit të Groenlandës

by Nexhat

Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, deklaroi sot se vendi i saj do të bëjë gjithçka për të arritur një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara për Groenlandën, përveç dorëzimit të ishullit.

E pyetur mbi mundësinë që Groenlanda t’i jepet SHBA-ve, Frederiksen u shpreh se kjo është e papranueshme dhe e paimagjinueshme. “Jo, askush nuk mund ta imagjinojë,” tha ajo në një intervistë për emisionin “Maischberger” në kanalin publik gjerman ARD.

banner

Kjo deklaratë vjen pas insistimit të presidentit amerikan Donald Trump, i cili javën e kaluar tha se SHBA-të duhet të kenë pronësinë e ishullit të madh arkik, një territor autonom i Danimarkës. Trump gjithashtu përjashtoi mundësinë e marrjes së ishullit me forcë, duke shtuar se bisedimet e tij në Davos me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, kishin krijuar një “kornizë” për një marrëveshje të ardhshme. Në këtë kuadër, Trump tërhoqi edhe kërcënimin për vendosjen e tarifave ndaj vendeve evropiane që ishin kundër planeve të tij për Groenlandën.

Kryeministrja Frederiksen theksoi se bisedimet me SHBA-të janë një qasje diplomatike dhe se rezultati varet nga bashkëpunimi me partnerët evropianë. “Kur Evropa është e bashkuar dhe flet me një zë, ka rezultat,” tha Frederiksen, duke shtuar se është ende e paqartë sa mund të zgjasin negociatat.

Në thelb, Frederiksen mohoi të japë detaje mbi përmbajtjen e bisedimeve dhe nënvizoi rëndësinë e ruajtjes së sovranitetit danez mbi Groenlandën. /Panorama

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy