Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të mërkurën ka nisur rishtazi gjykimi ndaj të akuzuarit për krime lufte në Ozdrim dhe fshatrat tjera të Pejës, Millorad Gjokoviq. I akuzuari u deklarua sërish i pafajshëm.
Gjykimi filloi rishtazi për shkak të ndryshimit të përbërjes së trupit gjykues. Kështu, për shkak të avancimit të anëtarit të trupit gjykues Arben Hoti në Gjykatën e Apeli, ai u zëvendësua me gjykatësin Kujtim Krasniqi, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Donikë Shala-Abdyli konstatoi se gjykimi duhet të fillojë rishtazi, më pas i akuzuari deklaroi se ndihet i pafajshëm.
Më tutje, me pajtimin e palëve në procedurë- përfshirë prokurorit special, Iliri Morina dhe palëve të dëmtuara, mbrojtësit të të akuzuarit, Dejan Vasiq dhe vetë të akuzuarit Gjokoviq, u konstatuan si të lexuara fjala e dhënë hyrëse e dhënë më parë dhe dëshmitë e dëshmitarëve që janë dëgjuar në gjykatë.
Në mungesë të dëshmitares Hajrije Krasniqi, trupi gjykues ndërpreu seancën, duke njoftuar se adresa e dëshmitares ka qenë e panjohur, Gjykatësja Shala-Abdyli tha se do të bëhet verifikimi i adresës së dëshmitares Krasniqi, pastaj do t’i dërgohet ftesa për dëshmi.
Paraprakisht, me të filluar gjykimi, i akuzuari Gjokoviq kërkoi nga gjykata të pajiset me procesverbalet e seancave të kaluara, duke thënë se nuk ka marrë 18 procesverbale.
“Diku rreth 18 procesverbale të vitit të kaluar nuk i kam pranuar”, tha Gjokoviq.
Më pas, gjykatësja kërkoi të dinte nëse mbrojtësi i tij i ka, por i akuzuari Gjokoviq tha se dëshiron që edhe ai përveç mbrojtësit t’i ketë procesverbalet.
Ndryshe, ky rast kryesohej nga gjykatësi Valon Kurtaj, mirëpo edhe ai ishte avancuar për në Gjykatën e Apelit në muajin nëntor, për çka lënda kishte kaluar për kryesim tek gjykatësja Shala-Abdyli.
Sipas aktakuzës së përpiluar më 23 qershor 2023, Millorad Gjokoviq akuzohet se në vitet 1998-1999, në fshatin Ozdrim- Komuna e Pejës dhe në fshatrat përreth regjionit të Pejës, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, ka aplikuar masat e vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës, trajtimit në mënyre mizore dhe çnjerëzore, mbajtjes në kushte skllavërie, dëbimit dhe deportimit të dhjetëra civilëve shqiptarë. Akuzohet edhe për plaçkitje, djegie dhe shkatërrimin e shtëpive të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar.
Në aktakuzë thuhet se nga ana veriore e fshatit Ozdrim me rrugën regjionale Pejë – Mitrovicë, kishin hyrë ushtria e rregullt dhe në fund nga ana perëndimore e fshatit Ozdrim e cila kufizohet me fshatin Vitormiricë kishin hyrë grupet paramilitare të përzier edhe me pjesëtarë të njësiteve speciale ushtarake, filluan të shtinin me armë në drejtim të popullsisë civile me ç‘rast u vranë gjashtë civilë të nacionalitetit shqiptarë: I.K Sh.K, E.M, R.Sh, Z.Sh dhe M.H, ndërsa tre civilë të cilët u plagosen nga këto të shtëna: A.G, H.G dhe M.G, fillimisht u transportuan për në spitalin e Pejës e më pastaj u ekzekutuan dhe u varrosën në fshatin Lutogllavë, si dhe pesë civil të nacionalitetit shqiptarë: R.K, Z.K, A.K, A.K, A.Sh u vranë gjatë ofensivës, por asnjëherë nuk u gjetën trupat e tyre prandaj ende figurojnë si të zhdukur.
Me këtë, Gjokoviq ngarkohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ( tutje “LP i RSFJ-së”) si ligji në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale./BetimipërDrejtësi/

