Një video që e përmbledh rrugëtimin e Kombëtares së Kosovës, sakrificat ndër vite dhe mbështetjen e tifozëve u ka shfaqur lojtarëve në ditën e parë të stërvitjeve për ndeshjen kundër Sllovakisë përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda.
Sipas njoftimit të Federatës së Futbollit të Kosovës, qëllimi ishte të rritet motivimi dhe të ndizet shpirti luftarak para një prej sfidave më të rëndësishme për ekipin kombëtar.
“Në ditën e parë të grumbullimit për ndeshjen gjysmëfinale të “play-off”-it për Kupën e Botës 2026 kundër Sllovakisë, përzgjedhësi Franco Foda zgjodhi një qasje ndryshe për të motivuar ekipin. Ai u shfaqi lojtarëve një video që përmblidhte rrugëtimin e tyre, sakrificën dhe mbështetjen e pakursyer të tifozëve. Synimi i këtij momenti ishte të ndizet shpirti luftarak përpara një prej sfidave më të rëndësishme. Foda theksoi se Kosova ndodhet para një momenti shumë të rëndësishëm. Fjalët e tij ishin thirrje për bashkim e besim tek njëri-tjetri dhe se ky grup lojtarësh ka cilësinë për të arritur rezultatin historik, që do të mbetet gjatë në memorien e popullit”, ka shkruar Federata e Futbollit e Kosovës.
Paraprakisht Foda të hënën në konferencën për media, ka folur për ndeshjen me Sllovakinë. “Dardanët” do të përballen me Sllovakinë më 26 mars në Bratislavë, në kuadër të gjysmëfinales së “play-off” për Kupën e Botës 2026.
Foda thotë se është i vetëdijshëm se dueli me Sllovakinë, nuk do të jetë aspak i lehtë, megjithatë, ai është i bindur se Kosova mund të fitojë kundër sllovakëve

