Përdorimi i aplikacionit mobil “Thirr Policinë”, po shënon rritje të vazhdueshme të përdorimit nga qytetarët e komunës së Ferizajt, duke u shndërruar në një nga format më të përdorura për raportimin e rasteve tek Policia e Kosovës. Autoritetet policore në Ferizaj thonë se ky aplikacion po ndikon drejtpërdrejt në rritjen e bashkëpunimit me qytetarët dhe në identifikimin më të shpejtë të rasteve në terren.
Kapiteni i Policisë së Kosovës në komunën e Ferizajt, Gani Pajaziti, ka bërë të ditur për KosovaPress, se aplikacioni u mundëson qytetarëve të raportojnë raste në mënyrë anonime, pa qenë e nevojshme të japin të dhënat personale.
Pajaziti ka bërë dhe një krahasim të statistikave, ku gjatë vitit 2024-25 ishin mbi 660 thirrje, ndërkohëvetëm në tre mujorin e parë të vitit 2026 ishin mbi 600 thirrje në aplikacion.
Ai ka theksuar se përveç aplikacionit, linja emergjente 192 mbetet forma kryesore e komunikimit mes qytetarëve dhe policisë, përmes së cilës raportohen incidentet dhe kërkohet ndihmë në situata të ndryshme.
Në linjën emergjente në vitin 2025, qendra e komunikimit ka pasur mbi 102 mijë e 550 thirrje.
Pajaziti ka prezantuar edhe statistika të tjera që lidhen me punën e policisë në këtë rajon gjatë muajve të fundit. Sipas tij, janë pranuar mbi një mijë shkresa zyrtare nga stacionet policore, ndërsa rreth 450 raporte të tjera janë hartuar nga policia.
Policia e Kosovës ka zhvilluar në vitet e fundit disa mekanizma për të lehtësuar komunikimin me qytetarët dhe raportimin e rasteve të ndryshme në terren. Një nga këto mekanizma është aplikacioni mobil “Thirr Policinë”, i cili u mundëson qytetarëve të dërgojnë informata dhe raportime në mënyrë të shpejtë dhe anonime.

