Me debate ka nisur seanca e fundit për këtë sesion parlamentar në Kuvendit e Shqipërisë ku janë parashikuar për diskutim dhe votim disa projektligje, ndër më të rëndësishmet projektligji për studentët e Mjekësisë dhe kanabisi për qëllime mjekësore.
Opozita në këtë seancë kishte kërkuar interpelancë me kryeministrin Edi Rama në lidhje me çështjen e inceneratorëve, por kërkesa u rrëzua nga Kryesia e Kuvendit me pretendimin se me këtë çështje tashmë po merret drejtësia. Me pankarta në duar Berisha dhe deputetë të PD kanë protestuar duke hedhur akuza ndaj qeverisë.
“Kjo është më e forta. S’ka më mbledhje grupi”, thotë Berisha duke treguar posterat me kanabis dhe për inceneratorët.
Ai tha se mosfutja në rend të ditës të mocionit me debat me Ramën, është akt u turpshëm.
“Kushtetuta e parlamentit thotë në mënyrë tekstuale, se një ligj nuk mund të hyjë në rend dite pa kalaur 48 orë. Ti kryen një shkelje të rëndë ligjore të barabartë me banditët Rraja që rrihni qytetarët me shkopa bejsbolli. Si mund ti lejosh vetes ti, një gjë të tillë. Nëse ju doni të bëni këtë gjë, ndryshoni rregulloren e parlamentit me procedurën e saj, dhe pastaj zbatoni marrëveshjen Rama-Doshi, Doshi-Rama dhe Gjinushi. Por ky është i turpshëm, është një akt i turpshëm kjo që bëni. Ky është një provokim i ulët, një shkelmim i ligjeve.
Kur kryetarja e parlamentit që duhet të jetë mbrojtëse, zbatuese kryesore e rregullores, apo kushtetutës së parlamentit e shkelmon atë me dy këmbët, për interesat e Skënder Gjinushit, Tom Doshit dhe Edi Ramës, ky është fundi i këtij parlamenti.”, tha Berisha.