E ardhmja e Marcus Rashford duket gjithnjë e më larg Barcelonës.
Sulmuesi anglez e zhvilloi një sezon të shkëlqyer në huazim te katalanasit, duke i regjistruar 14 gola dhe 14 asistime në të gjitha kompeticionet, por qëndrimi i tij në “Camp Nou” po komplikohet nga faktorët ekonomikë.
Sipas raportimeve nga Gjermania dhe Anglia, Bayern Munich po e monitoron me shumë interes situatën e sulmuesit të Manchester United dhe po e shqyrton mundësinë e një oferte gjatë afatit kalimtar të verës,
Kampionët gjermanë janë në kërkim të një lojtari krahu pas dështimit për të siguruar objektiva të tjerë dhe Rashford shihet si një alternativë e rëndësishme.
Barcelona, nga ana tjetër, e ka një opsion blerjeje për anglezin, por situata financiare e klubit dhe ardhja e Anthony Gordon i kanë vështirësuar planet për ta mbajtur përfundimisht në skuadër.
Drejtuesit katalanas po hezitojnë ta paguajnë shumën e kërkuar nga Manchester United, ndërsa paga e lartë e lojtarit mbetet një tjetër pengesë.
Edhe pse Rashford e ka shprehur dëshirën për ta vazhduar aventurën në Spanjë, deri tani nuk ka asnjë garanci për të ardhmen e tij.
Vetë lojtari e ka pranuar se nuk e di se ku do të luajë sezonin e ardhshëm, pavarësisht suksesit të arritur me Barcelonën.
Bayerni e vlerëson eksperiencën dhe fleksibilitetin e 28-vjeçarit, i cili mund të luajë në disa pozicione të repartit ofanziv.
Megjithatë, drejtuesit bavarezë po e analizojnë me kujdes koston totale të operacionit, veçanërisht për shkak të pagës së lartë që Rashford e përfiton aktualisht.
Javët e ardhshme pritet të jenë vendimtare për të ardhmen e anglezit, me Bayernin që po përgatitet të përfitojë nga vështirësitë e Barcelonës për ta realizuar një transferim që mund të bëhet një nga më të bujshmit e kësaj vere.

