Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar si një “ditë historike për rilindjen e industrisë ushtarake shqiptare” ceremoninë e dorëzimit të 40 mjeteve të para taktike të prodhuara në Shqipëri sipas standardeve të NATO-s, të cilat do t’i kalojnë në përdorim Forcave të Armatosura.
Në fjalën e tij, Rama u shpreh se për shumë vite ushtria shqiptare ishte lënë në mëshirë të fatit dhe mbahej në këmbë falë pasionit, vullnetit dhe patriotizmit të ushtarakëve, ndërsa sipas tij, industria ushtarake shqiptare ishte një realitet i paimagjinueshëm.
“Për një kohë të gjatë nuk bëhej fjalë që të përfytyrohej një industri ushtarake. Historia e tenderave, e blerjeve të makinerive laramane dhe e ngatërresave të ndryshme ishte histori e përditshme e shtetit shqiptar”, deklaroi Rama.
Sipas kryeministrit, Shqipëria tashmë ka hyrë në një fazë të re, ku nuk është më vetëm përdoruese e teknologjisë së mbrojtjes, por edhe projektuese dhe zhvilluese e kapaciteteve të saj teknologjike.
Rama u ndal edhe te historia e sipërmarrëses Arjeta, të cilën e cilësoi protagoniste të kësaj industrie të re. Ai tregoi se ajo, e ardhur nga Bulqiza, pas viteve të emigrimit dhe punës në një fabrikë që prodhonte mjete motorike, vendosi të rikthehej në Shqipëri dhe të krijonte një startup për prodhimin e mjeteve motorike.
Sipas Ramës, pavarësisht vështirësive dhe mungesës së mbështetjes institucionale në fillim, kompania arriti të prodhonte ambulanca në Shqipëri që u eksportuan edhe në Ukrainë. Ai tha se në atë periudhë Shqipëria vijonte të importonte mjete të tilla përmes tenderave.

