Manchester City vazhdon të jetë i interesuar për Enzo Fernández, pavarësisht se nuk e shfrytëzoi afatin e vendosur nga Chelsea për të paraqitur ofertë zyrtare. Mesfushori argjentinas mbetet një nga objektivat kryesore të Cityt, që po kërkon përforcime të rëndësishme në mesfushë para mbylljes së merkatos.
Chelsea kishte vendosur të premten e kaluar, në orën 17:00, si afatin e fundit për klubet që dëshironin të negocionin mbi bazën e një vlere prej rreth 120 milionë paundësh.
Manchester City, megjithatë, nuk paraqiti ofertë me shkrim brenda këtij afati, duke ia kthyer avantazhin në negociata klubit londinez.
Sipas “Sky Sports”, interesimi i Cityt nuk është zbehur dhe kampionët anglezë vazhdojnë ta monitorojnë nga afër situatën e 25-vjeçarit.
Chelsea tani mund të kërkojë edhe më shumë
Mundësia që Enzo Fernández të largohej për shumën prej 120 milionë paundësh, e cila raportohet se ishte diskutuar më herët me përfaqësuesit e lojtarit, tashmë konsiderohet e mbyllur.
Nëse Manchester City vendos ta intensifikojë ofensivën para mbylljes së afatit kalimtar më 1 shtator, Chelsea mund të kërkojë një shumë edhe më të lartë.
Klubi nga “Stamford Bridge” nuk është nën presion për ta shitur argjentinasin dhe do të shqyrtonte largimin e tij vetëm në rast të një oferte jashtëzakonisht të lartë.

