Premier League ka vendosur të rrisë transparencën rreth vendimeve të arbitrimit, duke bërë publike vlerësimet e plota të Panelit për Incidentet Kryesore të Ndeshjeve (KMI). Megjithatë, masa e re mund të sjellë edhe më shumë polemika për gjyqtarët.
Tifozët e Premier League do të kenë këtë sezon mundësinë të lexojnë vlerësimet e plota të Key Match Incidents Panel (KMI), si pjesë e tri masave të reja që liga angleze po i prezanton me synimin për të rritur transparencën rreth vendimeve të arbitrimit.
Paneli KMI, ashtu si pothuajse çdo çështje që lidhet me arbitrimin që prej futjes së VAR-it, ishte burim i polemikave të shumta gjatë sezonit të kaluar.
Deri më tani, vlerësimet e plota të pesë anëtarëve të panelit mbaheshin konfidenciale. Kjo praktikë kishte qenë në fuqi që nga viti 2022, por Premier League tani ka vendosur ta ndryshojë atë.
Klubet kanë marrë edhe më parë raportet e plota, përfshirë komentet individuale të anëtarëve të panelit, ndërsa informacione të caktuara shpesh përfundonin në media përmes rrjedhjeve. Nga sezoni 2026/27, një gjë e tillë nuk do të jetë më e nevojshme, pasi raportet do të bëhen publike.
Paneli mblidhet çdo javë për të analizuar vendimet më të rëndësishme dhe përbëhet nga tre ish-futbollistë ose trajnerë, një përfaqësues i Premier League dhe një përfaqësues i organit të arbitrimit, Pro Ref.
Për të përcaktuar nëse një vendim ka qenë i drejtë apo i gabuar nuk kërkohet unanimiteti i të pesë anëtarëve. Mjafton shumica e votave.
Incidentet kryesore, e shpesh edhe më të diskutueshmet, analizohen duke marrë parasysh rregullat e lojës dhe standardin e pritur të arbitrimit në elitën e futbollit anglez.
Sipas BBC-së, në raportet e panelit ishin evidentuar 25 gabime të VAR-it gjatë sezonit të kaluar, një rritje krahasuar me 18 gabimet e regjistruara në sezonin 2024/25.
Vetë paneli nuk i shkakton polemikat, pasi ato burojnë nga vendimet e marra gjatë ndeshjeve. Megjithatë, KMI nuk ka kompetenca për t’i korrigjuar gabimet që konstaton, gjë që shpesh ka shkaktuar zemërim te tifozët.
Tani që raportet e plota do të publikohen, presioni mbi gjyqtarët mund të rritet edhe më shumë, veçanërisht në rastet kur paneli pranon publikisht se një vendim vendimtar ka qenë i gabuar.
Gjyqtarët do t’i shpjegojnë vendimet në kohë reale
Publikimi i raporteve të KMI-së është vetëm njëra prej tri masave të reja të Premier League.
Një tjetër ndryshim është publikimi i deklaratave të drejtpërdrejta të gjyqtarëve të përfshirë në incidentet kryesore. Ato do të publikohen përmes llogarisë zyrtare të Premier League Match Centre në platformën X.
Më parë, kjo llogari jepte vetëm shpjegime të përgjithshme për vendimet e diskutueshme. Tash e tutje, do të publikohen edhe arsyetimet konkrete të gjyqtarëve, pothuajse në kohë reale.
Pas ndeshjeve, publikut do t’i vihet në dispozicion edhe dokumenti i plotë i analizuar dhe votuar nga të pesë anëtarët e Panelit KMI.
Ndryshimi i tretë lidhet me sistemin e ri Ref Cam, kamerën e vendosur te gjyqtari. Përdorimi i saj do të zgjerohet duke përfshirë edhe audion.
Kjo do t’u mundësojë tifozëve të dëgjojnë mënyrën se si gjyqtari ua shpjegon vendimet futbollistëve dhe pjesëtarëve të skuadrave gjatë ndeshjes.
Të kombinuara, këto tri masa synojnë të rrisin përgjegjësinë e gjyqtarëve dhe të ofrojnë më shumë transparencë për publikun.
Rasti që zemëroi Evertonin
Një prej kritikëve më të zëshëm të VAR-it, Andy Burnham, i cili më parë kishte deklaruar se do ta hiqte teknologjinë po të kishte kompetencën për ta bërë këtë, pa klubin e tij të zemrës, Evertonin, të dëmtohej nga një vendim i gabuar gjatë sezonit të kaluar.
Everton kishte barazuar 3-3 në një ndeshje dramatike kundër Manchester Cityt, në një periudhë kur skuadra e Pep Guardiolës po luftonte për titullin e Premier League.
Disa ditë pas ndeshjes, Paneli KMI konstatoi se Evertonit i ishte mohuar gabimisht një penallti në pjesën e dytë.
Një vendim i saktë në atë rast potencialisht mund t’i kishte dhënë Evertonit tri pikë shumë të rëndësishme. Në atë periudhë, skuadra luftonte për një vend në garat evropiane, objektiv të cilin në fund nuk e arriti.
Transparenca ende nuk është e plotë
Pavarësisht ndryshimeve të reja, transparenca totale rreth VAR-it ende nuk do të ekzistojë.
Arsyeja është se IFAB vazhdon të mos lejojë transmetimin e drejtpërdrejtë të komunikimit mes gjyqtarëve dhe VAR-it gjatë shqyrtimit të incidenteve.
Gjatë sezonit të kaluar, Chelsea dhe Bournemouth kryesuan renditjen e skuadrave që përfituan më së shumti nga vendimet e VAR-it, me nga katër vendime në favor.
Pas tyre renditej Arsenal, me tri vendime në favor.
Në anën tjetër, Everton dhe Crystal Palace ishin skuadrat që pësuan më së shumti nga gabimet e arbitrimit, me nga tri vendime të gabuara kundër tyre.
Njëri prej rasteve të Evertonit ishte pikërisht penalltia e mohuar gabimisht në ndeshjen kundër Manchester Cityt.

