Barcelona dëshiron ta nisë sezonin e ri në La Liga me skuadrën e plotë.
Në prag të sfidës së të dielës ndaj Elches, klubi katalunas i ka nisur procedurat e nevojshme për ti regjistruar të gjitha afrimet e reja dhe për t’ia dhënë Hansi Flickut mundësinë ta ketë në dispozicion çdo përforcim.
Sipas asaj që raporton mediumi spanjoll “Sport”, në Barcelonë ekziston besimi se të gjitha procedurat do të përfundojnë me sukses, falë edhe situatës së re ekonomike të klubit, përcjell “Gazeta Express”.
Barça tashmë është futur në regjimin e rregullit 1:1, i cili i jep më shumë liri në treg krahasuar me vitet e fundit.
Mes lojtarëve që pritet të regjistrohen rregullisht janë Rodri, Anthony Gordon, Karim Adeyemi dhe Hamza Abdelkarim, ndërsa Jesse Bisiwu pritet ta marrë licencën për të luajtur me Barcelonën B.
Edhe Andreas Christensen do të duhet të regjistrohet sërish, pas vazhdimit të kontratës së tij me klubin katalunas.
E vetmja situatë që vazhdon të monitorohet nga afër është ajo e João Cancelos.
Mbrojtësi portugez u bashkua me Barcelonën si lojtar i lirë, pas përfundimit të aventurës së tij te Al-Hilal, dhe ka nënshkruar kontratë me katalunasit deri në vitin 2029.
Megjithatë, Cancelo iu bashkua skuadrës vetëm më 17 gusht, duke iu lënë drejtuesve të klubit më pak kohë për t’i përfunduar të gjitha procedurat burokratike.
Pavarësisht kësaj, në Barcelonë nuk ka shqetësim të madh. Drejtuesit besojnë se do të arrijnë ta krijojnë hapësirën e nevojshme përmes operacioneve të fundit të tregut dhe synojnë t’i mbyllin të gjitha procedurat përpara udhëtimit ndaj Elches.
Ndeshja është planifikuar të zhvillohet të dielën në orën 21:30.

