Chelsea po përgatitet ta sigurojë të ardhmen e njërit prej lojtarëve më të rëndësishëm të sezonit të kaluar.
Sipas asaj që raporton “Sky Sports UK”, João Pedro do ta nënshkruajë së shpejti një kontratë të re, e cila do ta mbajë të lidhur me klubin londinez deri në vitin 2032, me opsion për një tjetër sezon.
Njoftimi zyrtar mund të vijë që përpara debutimit të Chelseat në Premierligë kundër Fulhamit, i planifikuar për të hënën.
Vazhdimi është një sinjal i qartë i besimit që klubi e ka te sulmuesi brazilian, i cili konsiderohet si njëri nga lojtarët kryesorë të projektit të ri teknik.
I transferuar në verën e vitit 2025 nga Brightoni për rreth 63 milionë euro, João Pedro nuk pati nevojë për shumë kohë për t’u përshtatur në “Stamford Bridge”.
Pavarësisht një sezoni me rezultate të luhatshme për Chelsean, 24-vjeçari e mbylli sezonin e tij të parë me fanellën e “Blues” me shifra të jashtëzakonshme: 20 gola dhe 9 asistime në 50 paraqitje në të gjitha kompeticionet.
Këto statistika e konfirmuan atë si pikën kryesore të referimit në sulmin e skuadrës.
Ndërkohë që klubi londinez vazhdon të punojë për largimin e disa lojtarëve, me synim reduktimin e një grupi shumë të madh, prioritet i drejtuesve të klubit është t’i mbajnë në skuadër futbollistët që konsiderohen të rëndësishëm për të ardhmen.
João Pedro është padyshim pjesë e kësaj kategorie. Kontrata e re do të shërbejë jo vetëm për t’i shpërblyer paraqitjet e tij, por edhe për ta larguar interesimin e klubeve të tjera të mëdha.
Chelsea, në këtë mënyrë, synon ta blindojë João Pedron për shumë vite, duke e bërë brazilianin një nga figurat kryesore të projektit të klubit në vitet e ardhshme.

