Edhe pse nuk pati shumë aktivitet në ditën e fundit të afatit kalimtar te Real Madridi, klubi pritet të përfitojë të ardhura të papritura nga një tjetër ish-produkt i akademisë së tij.
Gjatë kësaj vere, Real Madridi ka arkëtuar më shumë se 200 milionë euro nga marrëveshjet që kanë përfshirë talentë të dalë nga akademia e klubit.
Kjo ka ardhur ose përmes shitjeve direkte, si në rastin e Gonzalo Garcias apo Cesar Palacios, ose përmes klauzolave të përqindjes nga shitjet e ardhshme, siç ka ndodhur me Victor Munoz dhe Mario Gila, mes të tjerëve.
Tani, sipas gazetarit Florian Plettenberg të “Sky Germany”, një tjetër talent i dalë nga akademia e Real Madridit, Chema Andres, është në rrugën drejt Premierligës.
Në fakt, mesfushori i ri është shumë pranë largimit nga VfB Stuttgart për t’iu bashkuar Brighton & Hove Albion në një marrëveshje të realizuar me shpejtësi në ditën e fundit të afatit kalimtar.
Me marrëveshjen tashmë të arritur, 21-vjeçari spanjoll është nisur drejt Anglisë për t’iu nënshtruar testeve mjekësore.
Sipas raportimit, transferimi i Chemas te skuadra e Premierligës do të kushtojë gjithsej 23 milionë euro, ndërsa klubi i Bundesligës do të mbajë gjithashtu një përqindje nga një shitje e ardhshme.
Duke qenë se Real Madridi ende zotëronte 50% të të drejtave mbi mesfushorin e ri, klubi madrilen ka të drejtë të përfitojë gjysmën e shumës së transferimit. Kjo do të thotë se “Los Blancos” do të arkëtojnë 11.5 milionë euro.
Chema u largua nga Real Madridi për t’iu bashkuar VfB Stuttgartit në verën e vitit 2025, pasi kishte kaluar shtatë vite në klub dhe kishte bërë tri paraqitje me ekipin e parë.
I vlerësuar shumë në Valdebebas, mesfushori 21-vjeçar zhvilloi një sezon debutues fantastik në Gjermani, duke e mbyllur me katër gola dhe dy asistime në 39 ndeshje në të gjitha garat.
Më pas, mesfushori ishte pjesë e përfaqësueses së Spanjës U19 që fitoi Kampionatin Evropian të UEFA-s në fillim të kësaj vere.
Real Madridi kishte ruajtur 50% të të drejtave mbi Cheman, ndërsa kishte siguruar gjithashtu klauzola riblerjeje për mesfushorin e dalë nga akademia e klubit.
Megjithatë, u vendos që klauzola e riblerjes të mos aktivizohej këtë verë dhe Chema të vazhdonte zhvillimin e tij në Gjermani, përpara se klubi të shqyrtonte mundësinë për ta rikthyer atë vitin e ardhshëm.
Por, kjo tashmë nuk është më e mundur, pasi talenti spanjoll ka vendosur të marrë përsipër një sfidë të re në Premierligë me Brightonin.

