NË PRAG TË TAKIMEVE LETRARE “ORA E TAHIR DESKUT”
.

Nga: Agim Desku
Takimet letrare kushtuar poetit Tahir Desku tashmë janë në prag. Më 7 shtator, në ditëlindjen e poetit, fjala poetike do të rikthejë kujtesën për një nga emrat më të rëndësishëm të poezisë shqiptare në Kosovë.
Me këtë rast, shpreh respektin dhe mirënjohjen për bartësit e kulturës në Komunën e Klinës, të cilët çdo vit i japin forma të reja këtij aktiviteti letrar dhe kujdesen që emri dhe krijimtaria e Tahir Deskut të mbeten pjesë e gjallë e jetës sonë kulturore.
Megjithatë, mendoj se do të ishte me shumë vlerë që, në prag të këtyre takimeve, të organizoheshin edhe orë letrare në vendet që lidhen drejtpërdrejt me jetën dhe rrugëtimin e poetit.
Një takim i tillë do të kishte kuptim të veçantë në fshatin Siqevë, vendlindjen e Tahir Deskut, aty ku filloi rrugëtimi i tij jetësor dhe ku kujtesa për poetin duhet të ruhet si një pjesë e çmuar e trashëgimisë shpirtërore.
Po aq domethënëse do të ishte që një orë letrare t’i kushtohej Tahirit edhe në shkollën e Ujmirit, ku ai kreu arsimin tetëvjeçar. Nxënësit e sotëm duhet të kenë mundësinë të njohin jo vetëm poezinë e tij, por edhe jetën, idealet dhe rrugëtimin e një njeriu që me penën dhe guximin e tij u bë dëshmitar i kohës.
Një aktivitet i veçantë do të ishte i mirëpritur edhe në Gjimnazin “Luigj Gurakuqi”, ku Tahir Desku ndoqi mësimet e shkollës së mesme. Pikërisht aty, brezat e rinj do të mund të njiheshin më thellë me figurën e poetit, por edhe me Tahir Deskut si reporter lufte, i cili në vitin 1999 përcolli nga afër ngjarjet dramatike të luftës në Kosovë, duke qenë pranë betejave dhe në zemër të fronteve të luftës.
Do të ishte gjithashtu me shumë interes që Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës do të ishte në nderin e saj të organizonte një tribunë letrare kushtuar poezisë së Tahir Deskut dje dhe poezisë që krijohet sot në Kosovë. Një ballafaqim i tillë kulturor ndërmjet brezave, kohëve dhe poetikave do të ishte një mënyrë e denjë për të vlerësuar trashëgiminë që Tahiri la pas.
Tahir Desku ishte një nga zërat më të fuqishëm poetikë të viteve të tetëdhjeta. Poezia e tij mbante frymën e kohës, shqetësimin kombëtar, dashurinë për atdheun dhe revoltën e një brezi që kërkonte liri. Prandaj, “Ora e Tahir Deskut” nuk duhet të mbetet vetëm një takim përkujtimor, por të shndërrohet në një institucion të gjallë të kujtesës, poezisë dhe kulturës shqiptare.
Respekt për të gjitha institucionet dhe krijuesit që kontribuojnë në mbajtjen dhe pasurimin e Orës Letrare “Tahir Desku”.
Uroj që takimet e sivjetme të jenë të mbara, të frytshme dhe të denja për emrin e poetit që nderojnë.

