Ronald Koeman Jr. shkroi historinë të dielën pasdite.
Portieri 31-vjeçar u bë i pari portier në histori që shënon dy gola në një ndeshje të Eredivisies, falë dy penalltive të shndërruara në gol ndaj SC Cambuur.
Djali i legjendës së futbollit holandez, Ronald Koeman, zbuloi pas barazimit 2-2 të Telstarit ndaj SC Cambuur-Leeuwarden se ai është ekzekutuesi i parë i penalltive në skuadrën e tij.
Telstar dukej se ishte i destinuar për të humbur që në momentin kur mbeti me 10 lojtarë në minutën e 22-të, pas një përjashtimi me karton të kuq. Më pas, skuadra pësoi dy gola brenda 15 minutave të para të pjesës së dytë.
Atëherë ndërhyri Koeman. Ai ngushtoi diferencën në minutën e 63-të dhe, thellë në kohën shtesë, mori përsipër përgjegjësinë për të shënuar golin e mundshëm të barazimit. Portieri i injoroi me qetësi përpjekjet e lojtarëve kundërshtarë për ta shpërqendruar.
“E dini se si shkon. Ata fillojnë të flasin me ty”, tha Koeman Jr., duke iu referuar portierit të Cambuurit, Thijs Jansen, dhe Sami Bouhoudane.
“Por nuk do të më lëkundni, djalosh. Thjesht duhet të marrësh një moment për veten dhe të përqendrohesh. Para ndeshjes, nuk do të ishim të kënaqur me një pikë, por këtu thjesht duhet ta pranojmë”, shtoi ai.
Në minutën e 11-të (!) të kohës shtesë, portieri realizoi penalltinë dhe vendosi shifrat 2-2.
Golat e tij nuk janë të kufizuar vetëm në këtë sezon të Eredivisies. Edhe sezonin e kaluar, ai tregoi qetësinë e tij kur i siguroi Telstarit fitoren në transfertë ndaj FC Volendamit, në ndeshjen e fundit të sezonit, duke shënuar në minutën e 89-të dhe duke siguruar përfundimisht mbijetesën.
Kur u pyet nëse është zyrtarisht ekzekutuesi i parë i penalltive te Telstari, Koeman u përgjigj me besim: “E patë këtë, apo jo? Jam i mirë në ekzekutimin e penalltive dhe kam besim tek kjo. Nuk kisha asnjë dyshim. Dy herë në të njëjtin kënd, po. Ndoshta duhet ta ndryshoj ndonjëherë”.
Pas katër ndeshjesh, klubi nga IJmuideni, në veri të Holandës, renditet në vendin e 12-të me katër pikë. Ndërkohë, Cambuur-Leeuwarden e mori pikën e parë të sezonit falë barazimit 2-2.

