José Mourinho ka deklaruar se nuk ndien se i ka ndonjë borxh Real Madridit nga periudha e tij e parë në klub, duke theksuar se situata e atëhershme dhe ajo aktuale janë krejtësisht të ndryshme.
Trajneri portugez foli në prag të përballjes me Interin në fazën e ligës së Ligës së Kampionëve, duke bërë të qartë se objektivi i tij i vetëm në “Santiago Bernabéu” është fitorja.
“Dua të fitoj. Mund të thosha se dua të luajmë mirë, por edhe kundër Betisit luajtëm mirë dhe humbëm. Prandaj, dua të fitoj”, deklaroi Mourinho në konferencën për media.
Mourinho i kënaqur me reagimin e lojtarëve
Real Madridi vjen në këtë ndeshje pas humbjes së parë të sezonit ndaj Betisit, por Mourinho tha se ishte i kënaqur me reagimin e skuadrës.
“I pashë pikërisht ashtu siç dua t’i shoh. Pas ndeshjes ishin të shkatërruar në dhomat e zhveshjes, por më pas reaguan shumë mirë në stërvitjen e së dielës. Sot gjithçka është kthyer plotësisht në normalitet”, tha ai.
Trajneri portugez shtoi se analiza e ndeshjes e kishte bindur edhe më shumë se skuadra kishte zhvilluar një paraqitje të mirë.
“Sa më shumë e analizojmë ndeshjen, aq më shumë bindemi se kemi luajtur mirë. Përballë kishim një skuadër të fortë dhe gabimet që bëmë nuk janë të zakonshme për ne.”
“Jemi në gjendje të mirë. Kemi disa probleme në mesfushë para ndeshjes së nesërme, por do të luajmë dhe do të konkurrojmë.”
Kujtime të forta nga “Bernabéu”
Mourinho ka kujtime të veçanta nga stadiumi i Real Madridit, si pozitive, ashtu edhe negative.
“Në Bernabéu e kam fituar Ligën e Kampionëve me Interin kundër Bayern Munichut, por gjithashtu kam humbur një gjysmëfinale me Real Madridin ndaj Bayernit pas penalltive.”
“Kam përjetuar këtu disa nga momentet më të mira dhe më të këqija”, deklaroi ai.
Kur u pyet nëse Trent Alexander-Arnold mund të përdoret në mesfushë ndaj Interit, Mourinho nuk deshi të zbulojë asgjë.
“Nuk do ta komentoj këtë”, ishte përgjigjja e tij.
“Nuk i kam borxh asgjë Real Madridit”
Një nga pyetjet kryesore të konferencës lidhej me faktin nëse Mourinho ndien se i ka mbetur borxh Real Madridit një triumf në Ligën e Kampionëve.
Përgjigjja e tij ishte e prerë.
“Jo. Janë dy periudha krejtësisht të ndryshme. Puna ime e atëhershme përfundoi në vitin 2013. Fituam atë që fituam dhe humbëm atë që humbëm. Dhamë gjithçka që kishim dhe ajo etapë përfundoi.”
Sipas Mourinhos, nuk ka kuptim që periudha aktuale të lidhet me atë të mëparshme.
“Kjo nuk ka të bëjë fare me të kaluarën. Po flasim për dy momente krejtësisht të ndryshme në historinë e Real Madridit.”
“Para meje, Reali nuk po arrinte as në çerekfinale”
Mourinho kujtoi edhe gjendjen në të cilën ndodhej Real Madridi kur ai mori drejtimin e skuadrës në vitin 2010.
“Në vitin 2010, Real Madridi nuk po arrinte në çerekfinale dhe prej shumë vitesh nuk kishte luajtur në një gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.”
“Tani klubi ka fituar gjashtë Liga të Kampionëve. Janë periudha krejtësisht të ndryshme”, deklaroi portugezi.
Gjatë periudhës së tij të parë në Madrid, Mourinho e çoi Realin në tri gjysmëfinale radhazi të Ligës së Kampionëve, por nuk arriti ta fitonte trofeun.
Synimi tani është Championsi me Real Madridin
Megjithatë, ish-trajneri i Interit nuk e fshehu dëshirën për ta fituar trofeun më prestigjioz evropian me Real Madridin.
“Nëse më pyetni nëse kam dëshirë ta fitoj Ligën e Kampionëve me Real Madridin, natyrisht që po”, tha Mourinho.
“Por kjo është një çështje krejtësisht e ndarë nga ajo që ndodhi në periudhën time të mëparshme.”
Real Madridi do ta nisë kështu aventurën e re në Ligën e Kampionëve me synimin për fitore ndaj Interit, ndërsa Mourinho kërkon ta shkruajë një kapitull të ri në historinë e tij me klubin madrilen.

