Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka thënë se ka tentuar ta bindë Amir Rrahmanin të rikthehet në përfaqësuese për ndeshjet e radhës, por mbrojtësi nuk e ka ndryshuar vendimin e tij.
Në konferencën për medie, Foda konfirmoi se ka zhvilluar bisedë me Rrahmanin, por nuk ka arritur ta bindë atë që të jetë në dispozicion të Kosovës.
“U përpoqa t’ia ndryshoja mendjen Rrahmanit, por ai nuk e ndryshoi vendimin. Gjërat e tjera për të cilat kemi biseduar mbeten mes nesh”, deklaroi Foda.
Përzgjedhësi i Kosovës u pyet edhe për mungesën e Florent Hadergjonajt. Ai theksoi se respekton vendimet e futbollistëve, por nënvizoi se për të është thelbësore që lojtarët që i përgjigjen ftesës së përfaqësueses të jenë plotësisht të përkushtuar dhe të japin maksimumin në fushë.
Foda bëri të qartë se ftesa në përfaqësuese nuk nënkupton automatikisht edhe një vend në formacion.
“Të gjithë duhet ta kuptojnë se mund të ftohen, por edhe të mos luajnë”, tha trajneri.
Me këtë mesazh, Foda ritheksoi rëndësinë e përkushtimit dhe konkurrencës brenda skuadrës, ndërsa Kosova përgatitet për ndeshjet e radhës në Ligën e Kombeve

