Një gjykatës federal në SHBA ka urdhëruar administratën Trump që të rikthejë menjëherë qasjen në Shtëpinë e Bardhë për gazetarët e disa mediave. Vendimi i përkohshëm vjen pasi gjykata vlerësoi se ndalimi mund të ketë shkelur të drejtat kushtetuese të mediave.
Gjykatësi Timothy Kelly urdhëroi rikthimin e akreditimeve për 14 ditë, ndërsa vazhdon procesi gjyqësor. Tri mediat kishin paditur administratën pasi gazetarëve të tyre iu revokuan lejet e hyrjes në Shtëpinë e Bardhë.
Administrata Trump e mbrojti vendimin, duke pretenduar se mediat kishin publikuar informacione të rreme dhe se kufizimi lidhej me sigurinë kombëtare. Gjykatësi vuri në pikëpyetje këtë argument, duke thënë se administrata nuk kishte ofruar prova të mjaftueshme dhe se mediave nuk u ishte dhënë mundësia e duhur për ta kundërshtuar vendimin.
Në shenjë solidariteti me tri mediat, disa prej rrjeteve kryesore televizive amerikane pezulluan përkohësisht pjesëmarrjen në sistemin e përbashkët të raportimit nga Shtëpia e Bardhë. Dhjetëra organizata mediatike kanë mbështetur gjithashtu padinë.
Kah mesi i shtatorit, presidenti Trump njoftoi se CNN, MS NOW dhe Politico nuk do të lejoheshin më në Shtëpinë e Bardhë, duke i akuzuar për raportime që ai i cilësoi si “trillime dhe gënjeshtra”.
Mediat e kundërshtuan vendimin dhe e çuan çështjen në gjykatë, duke argumentuar se ai cenon lirinë e shtypit dhe të drejtat e tyre kushtetuese

