Zbulohet rroga e Zidanet te Franca

by Nexhat

Zinedine Zidane e ka cilësuar gjithmonë bankinën e Kombëtares së Francës si një ëndërr që dëshironte ta realizonte.

Pas emërimit si trajner i “Les Bleus” më 28 korrik, ish-trajneri i Real Madridit e ka nisur aventurën e re në mënyrën më të mirë të mundshme, duke i regjistruar dy fitore në dy ndeshjet e para ndaj Turqisë dhe Belgjikës në Ligën e Kombeve.

banner

Tani janë zbuluar detaje të reja rreth kontratës së tij me Federatën Franceze të Futbollit.

Sipas raportimit të “L’Équipe”, Zidane e përfiton të njëjtën pagë fikse që e kishte paraardhësi i tij, Didier Deschamps: 300 mijë euro në muaj.

Megjithatë, struktura e shpërblimit të tij ndryshon në disa pika të rëndësishme, përcjell “Gazeta Express”.

Trajneri i ri i Francës ka vendosur të heqë dorë nga bonuset që lidhen me të drejtat e imazhit, të parashikuara për çdo ndeshje të Kombëtares dhe të lidhura me aktivitetet komerciale me sponsorët.

Gjatë periudhës së Deschamps, këto të ardhura ia siguronin trajnerit rreth 44 mijë euro për çdo ndeshje, dyfishin e shumës që u jepej lojtarëve.

Vendimi lidhet edhe me marrëveshjet personale të Zidane, i cili është imazh i disa markave të njohura, mes tyre edhe Adidas, ndërsa Kombëtarja e Francës ka kontratë me Nike.

Duke hequr dorë nga këto bonuse, ish-fituesi i “Topit të Artë” i shmang kështu konfliktet e mundshme që mund të lindnin në aktivitetet promocionale të Federatës Franceze.

Kompensimi, megjithatë, vjen përmes bonuseve më të larta në kompeticionet e mëdha ndërkombëtare.

Në rast të rezultateve të rëndësishme në Kampionatet Evropiane apo në Kupat e Botës, Zidane mund të përfitojë shpërblime më të mëdha sesa ato që parashikoheshin për paraardhësin e tij.

Kjo strukturë pasqyron dëshirën e trajnerit francez për t’u fokusuar mbi të gjitha te objektivat e mëdha sportive.

Sfida e tij e parë madhore është tashmë në horizont: ta rikthejë Francën në majat e futbollit, pas vendit të katërt të “Les Bleus” në Botërorin 2026.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy