Dueli i të pamposhturve, sfida kryesore e fundjavës në elitën e basketbollit

by Nexhat

Superliga e Kosovës në basketboll, vazhdon këtë fundjavë me ndeshjet e xhiros së katërt, ku vëmendja kryesore do të jetë në Prizren, në përballjen ndërmjet Bashkimit dhe Borës, dy skuadrave të vetme që ende nuk kanë pësuar humbje në këtë edicion.

Xhiroja hapet të shtunën nga ora 17:00 në palestrën “Minatori”, ku Trepça pret Vëllaznimin. Mitrovicasit synojnë t’i japin fund serisë prej katër humbjeve radhazi në të gjitha garat, përfshirë dy humbje në kampionat. Në anën tjetër, Vëllaznimi udhëton drejt Mitrovicës pas fitores së parë sezonale, të cilën e arriti javën e kaluar ndaj Pejës.

banner

Mbrëmja e së shtunës sjell edhe përballjen kryesore të kësaj xhiroje, ku Bashkimi dhe Bora do të ndeshen nga ora 19:30 në palestrën “Sezai Surroi”. Të dyja skuadrat kanë regjistruar nga tri fitore në tri ndeshjet e para, që do të thotë se vetëm njëra prej tyre mund ta ruajë bilancin e përkryer pas këtij dueli. Këto dy skuadra u përballën edhe në gjysmëfinalet e Play-offit të edicionit të kaluar, në një seri spektakolare që u vendos pas pesë ndeshjesh.

Të dielën, nga ora 17:00, Golden Eagle Ylli pret Pejën në palestrën “13 Qershori” në Suharekë. Ylli vjen pas fitores së parë sezonale, të shënuar javën e kaluar ndaj Sigal Prishtinës, ndërsa Peja synon të rikthehet te rezultatet pozitive pas humbjes ndaj Vëllaznimit. Përballja pritet të jetë mjaft e luftuar, duke marrë parasysh synimet e larta të të dyja skuadrave në këtë edicion.

Xhiron e katërt e mbyll përballja Rahoveci 029 – Sigal Prishtina, të dielën nga ora 19:30 në palestrën “Mizahir Isma”. Rahovecasit janë skuadra e vetme pa fitore deri më tani dhe do të zhvillojnë ndeshjen e tretë para publikut vendas në katër xhirot e para të sezonit. Vreshtarët synojnë ta shfrytëzojnë përparësinë e terrenit vendas për të regjistruar fitoren e parë, ndërsa Sigal Prishtina udhëton drejt Rahovecit me synimin për t’u rikthyer te fitorja.

Orari i Xhiros IV:

E shtunë, 10 tetor

17:00 | Trepça – Vëllaznimi

19:30 | Bashkimi – Bora

E diel, 11 tetor

17:00 | Golden Eagle Ylli – Peja

19:30 | Rahoveci 029 – Sigal Prishtina

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy